Ministria e Infrastrukturës nënshkruan kontrata për mirëmbajtjen e autostradave

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka nënshkruar kontrata të reja për mirëmbajtjen e autoudhëve.

Këto kontrata, sipas MIT-it, përfshijnë zgjerimin e punëve dhe intervenimeve në rrugë me qëllim të rritjes së efikasitetit, cilësisë dhe mbulueshmërisë së mirëmbajtjes së rrjetit rrugor.

“Në terren tashmë kanë nisur edhe angazhimet e para për zbatimin e këtyre kontratave, ndërsa do të ketë mbikëqyrje dhe angazhim të vazhdueshëm institucional për të garantuar realizimin e çdo obligimi kontraktual me përpikëri dhe sipas standardeve të kërkuara.”- thuhet në njoftimin e Ministrisë.

Sipas njoftimit në e-Prokurimi të kësaj Ministrie, kontratat për mirëmbajtje janë nga viti 2025 deri në vitin 2028. Ato ndahen në katër lote të ndryshme dhe janë të destinuara për mirëmbajtje rutinore dhe dimërore.

Vlera e parashikuar e këtyre kontratave pritet të arrij në shifrën prej 15 milionë e 942 mijë euro.

Loti 1 (Autoudha Ibrahim Rugova, Morinë-Gjurgjicë) i është dhënë kompanive Lika Company dhe Lika Trade.

Loti 2 (Bresje-Besi, rruga magjistrale N9-Bresje-Gjurgjicë, udhëkryqi A7 A6 deri në Besi) i është dhënë kompanive Arbotec, Delta-CCD dhe Rinesa.

Loti 3 (Autoudha Arbën Xheferi, Kyçja A7 A6 me rrugën magjistrale N2) i është dhënë kompanive Bageri, Ileaa-Gr dhe El-Bau.

Kurse Loti 4 (Kyçja Ferizaj-Doganaj-Han i Elezit) i është dhënë kompanive Eurokos Holding, Via dhe Dio Bes.

Procedura e prokurimit për këto kontrata kishte filluar në qershor të vitit 2025.