Magjistralja Prishtinë - Podujevë, foto: KALLXO.com, 23.01.2026.
Planet për ndërtimin e rrethrrotullimit në Besi, pse janë të shqetësuar banorët e fshatrave përreth? (VIDEO)
Ndërtimi i rrethrrotullimit në fshatin Besi të Prishtinës, përgjatë magjistrales Prishtinë-Podujevë ka shkaktuar shqetësime për disa banorë të fshatrave përreth, të cilët po pretendojnë se ky rreth-rrotullim po i vë në rrezik varrezat e fshatit.
Njëri nga banorët tha se fshatrat Prugoc e Barilevë nuk kanë qasje në rrethrrotullimin që po planifikohet të ndërtohet nga Ministria e Infrastrukturës.
Banori Nuhi Dragusha tha se është e palogjikshme që rrethrrotullimi të krijojë qasje vetëm për dy fshatra, e të tjerat të mbesin jashtë tij.
“Pjesën tonë ku po pretendohet të bëhet rrethi është në varrezat tona. Këtu është folë që gjoja se ne të Pugocit jemi kundër rrethit këtu, nuk është e vërtetë. Janë spekulime. Ne këtu jemi për mos të cënohet pjesa e varrezave tona. Kaq, asgjë më shumë. Edhe është e padrejtë dhe është e palogjikshme për dy fshatra me i lidhë me i lënë të gjitha të tjerat. Plus mbi të gjitha është mbi varreza, gjë që s’e lejojmë. Ne nuk e ndalojmë rrethin, por mbi varreza nuk e lejojmë në asnjë variant, në asnjë mënyrë të bëhet.” – deklaroi Dragusha.
Ndërsa, drejtoresha e kopshtit për fëmijë “Shtëpia Magjike”, Saime Alshiqi, tha se është i habitshëm fakti se pse ende nuk është realizuar rreth-rrotullimi sepse sipas saj ndërtimi i këtij të fundit është jetik për sigurinë e banorëve.
“Sigurisht që do ta lehtësonte punën, sepse ky rreth-rrotullim është i patjetërsueshëm, madje jetik mendoj, sepse lidh shumë fshatra përreth Besisë, ky rrethrrotullim. Sigurisht që e lehtëson qasjen e prindërve në kopsht, edhe qasjen e pacientëve në ambulantë e të tjera institucione që të gjithë qytetarët e kësaj rrethine marrin shërbime. Pothuajse çdo javë ndodh nga një aksident si shkak i mos-sinjalizimit edhe mungesës së rrethrotullimit në këtë anë.” – tha ajo.
“Vendosja e një rrethrotullimi, edhe mendoj që është i vonuar shumë dhe i habitshëm pse deri tani nuk është realizuar kjo.” – u shpreh Alshiqi.
Ndërsa, Kryetari i Këshillit Lokal të fshatit Besi e fshatrave përreth, Bislim Syla, tha se ky rrethrrotullim është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm sepse është rrugë që lidhë shumë fshatra.
“E lidh Qendrën e Mjekësisë Familjare, çerdhen këtu, është Zyra e Regjistrimit Civil edhe kështu që këtu po ka aksidente të përditshme ku i kemi adresuar shkresat e kërkesat Ministrisë për Infrastrukturë që është i nevojshëm ky rreth, që është edhe një peticion i banorëve përreth duke përfshirë edhe pjesën e fshatrave, Barilevë e Prugoc, ku ne kemi drejtuar një shkresë edhe për pjesën e tyre, ku kena mendu që edhe ata t’ju bëhet një zgjidhje për një pjesën tjetër, por ministria ka planifikuar që do të bëhet një rreth këtu.”
Tutje, për këtë çështje, banori tjetër, Feim Osmani, tha se e gjithë procedura ka shkuar në koordinim me kryetarët e bashkësive lokale të fshatrave.
“Kërkesa ka qenë me u bë një rrethrrotullim standard ku do të përfshiheshin edhe rruga “Ejup Statovci”, rruga që lidh Prugocin edhe Barilevën për shkak që s’ka pasë elaborat të shpronësimit nuk ka mujtë me u realizu ai projekt edhe e kanë zvogëlu. Ministria ka fut në projekt një rrethrrotullim më të vogël, i cili nuk i krijon qasje për me u kthy në Prugoc edhe në Barilevë po krijon qasje banorëve që dalin edhe vijnë në Qendër të Mjekësisë Familjare, në çerdhe, në zyrën e Shërbimit Civil të Komunës së Prishtinës, që i krijon qasje të gjitha fshatrave.” – tha Osmani.
“Kjo është problemi. Domethënë kemi qenë me marrëveshje me kryetarët e bashkësive lokale edhe me krejt banorët sepse peticionin e kanë nënshkru një pjesë e madhe e banorëve të Prugocit dhe të Barilevës që rrethrrotullimi me qenë aty, t’u i përfshi dy rrugët që janë afër njëra-tjetrës aty në kryqëzim” – theksoi tutje ai.
Kurse Agron Beshiri, menaxher i kontratave në Ministrinë e Infrastrukturës tha se për këtë segment ka qenë i angazhuar një komision e një kompani mbikëqyrëse, por që nuk dha detaje të tjera për rastin.
“Sa i përket ndërtimit të rrethrrotullimit, këtu ka qenë një komision i formuar prej sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe një komision ka qenë i formuar edhe kanë vendosë në disa lokacione sa i përket ndërtimit të rrethrrotullimeve. Kështu që, sa i përket kësaj çështjes, e kemi nën mbikëqyrjen e jashtme, është një kompani që bën mbikëqyrjen edhe rezymimin e punimeve. Kështu që, gjatë ditës së sotme do të marr informacione nga kompania që është e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, edhe për ditën e nesërme unë i jap përgjigje sa i përket këtyre çështjeve.” – tha Beshiri.
Ndërsa, për punimet në magjistralen Prishtinë – Podujevë, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, më 13.01.2025 kishte thënë se punimet në këtë segment janë të përfunduara për 85%.
Ndërsa, kishte shkruar se me fillimin e sezonit në pranverë do të nisë puna intensive për pjesët e mbetura që sipas tij janë urat e nyjat rrugore.
“Kohë më parë kemi njoftuar lidhur me zhvillimin e punimeve në rrugën Prishtinë – Podujevë. Aktualisht, rreth 85% e punimeve në këtë projekt kanë përfunduar, ndërsa 15% e mbetura përfshijnë ndërtimin e urave dhe nyjeve rrugore. Pas vendimit të fundit për shpronësim, tashmë është krijuar mundësia që punimet të zhvillohen edhe në këto pozicione. Me fillimin e sezonit të ndërtimit në pranverë, do të nisin punime intensive edhe në pjesët e mbetura, me qëllim që projekti të përfundojë sa më shpejt.” – shkroi Durmishi.