Dinarë serbë Foto: Milica Stojanovic | BIRN

Bislimi: Serbia nisi 117 milionë dinarë drejt Kosovës me synim krijimin artificial të tensioneve

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bisilimi ka thënë se sot Banka e Serbisë ka dërguar një kamion me 117 milionë dinarë serbë drejt Kosovës, por që është kthyer nga doganierët.

Bislimi ka shkruar se kjo është përgjigja e Serbisë kundrejt vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit si mjet pagese në Kosovë.

Ai ka shkruar se kamioni me dinarë ka qenë nën përcjellje të individëve që janë prezantuar me kredenciale të një kompanie inekzistente

“…sot Banka ekuivalente e Serbisё (njё ditё para mbledhjes sё thirrur tё Kёshillit tё Sigurimit), ka dёrguar njё kamion me para (plot 117.000.000 dinarё) nё kufi, nё pёrcjellje tё individёve qё prezantohen me kredenciale tё njё kompanie inekzistente, me pretendimin qё paratё duan t’i dёrgojnё tek njё entitet poashtu inekzistent nё Kosovё dhe pёr interes tё pёrfituesve, emrat e tё cilёve as i dijnё e as nuk i kanё”- ka shkruar Bislimi.

Ai ka thënë se një  “dёrgesё e tillё, pa asnjё koordinim, paraqet njё hap unilateral tё Serbisё, me qёllim tё shkeljes flagrante tё funksionalitetit tё institucioneve tё Republikёs sё Kosovёs, synon krijim artificial tё tensioneve dhe si e tillë meriton tё dёnohet ashpёr nga gjithsecili qё kundёrshton hapat unilateral”.

Gjatë ditës, Banka Popullore e Serbisë tha se autoritetet në Kosovë më 7 shkurt nuk kanë lejuar që në territorin e këtij shteti të hyjnë fondet në dinarë.

Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar Doganën e Kosovës, zëdhënësi i së cilës ka treguar se përfaqësues të palës serbe sot kanë pyetur në pikën doganore në Jarinjë, se nëse mund të importojnë para.

“Ne ua kemi sqaruar se pa pasur autorizim nga Banka Qendrore e Kosovës nuk lejohet qarkullimi i mjeteve monetare”- ka sqaruar Adriatik Stavileci në një përgjigje për KALLXO.com.

Vendim për Rregulloren e BQK-së u kritikua nga diplomatë e organizata ndërkombëtare.

Komisioni Evropian thotë se duhet të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili ka qenë i ftuar në emisionin #KallxoPernime, ku ka folur mbi rregulloren e cila njeh euron si valutën e vetme si mjet pagese në Kosovë.