Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Bislimi: Qëndrimi i Serbisë për situatën në Ukrainë është shqetësues

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se Qeveria e Kosovës është tej mase e shqetësuar me zhvillimet në konfliktin e Ukrainës.

Në një konferencë për media, Bislimi ka thënë se në të njëjtën kohë e përcjellin me brengë faktin “se jo të gjithë në Evropë, menjëherë i janë bashkëngjitur vlerave perëndimore në dënim të agresionit rus, kjo vlen si për Bjellorusinë ashtu edhe për fqinjin tonë Serbinë”.

Sipas tij, është shqetësues qëndrimi i Serbisë, duke shtuar se Serbia është “shtet me potencial të vazhdueshëm destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

“Në këtë kontekst ne i kuptojmë edhe brengat e miqve ndërkombëtarë që thirrin për më shumë vigjilencë në vendet e Ballkanit Perëndimor meqë destabilizimi nga ana e Serbisë është i mundur dhe i njëjti mund të jetë edhe në favor të zhvendosjes nga konflikti në Ukrainë”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri ka theksuar se sanksionet  e vendosura nga BE, SHBA e të tjera e të cilave i është bashkëngjitur menjëherë edhe Qeveria e Kosovës, “besojnë se do të dobësojnë fuqishëm qeverinë  e Moskës  dhe ndikojnë në tërheqjen e tyre nga planet për Ukrainën”.

“Invazioni i synuar rus tregon shumë prerazi se ku çojnë ambiciet e shteteve pa demokraci të konsoliduar për të orientuar apo kontrolluar preferencat politike të fqinjëve të tyre, ashtu siç tregon edhe gatishmërinë për keqpërdorim flagrant të historisë në shërbim të politikës agresive.

Ky konflikt na tregoi se sa i rëndësishëm është krijimi i një fronti të përbashkët mes gjithë demokracive për të pamundësuar që iniciativa të tilla ushtarake të finalizohen me sukses”, tha ai para mediave.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pati thënë se nuk është koha për të vendosur sanksione ndaj Rusisë duke shtuar se i jep mbështetje të plotë integritetit territorial të Ukrainës.

Dita e pestë e luftës në Ukrainë – Zhvillimet e fundit