Besnik Bislimi raporton për temat që u diskutuan në Bruksel

Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë raportoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi lidhur me procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Bislimi ka thënë se agjenda e së martës ne Bruksel ka pasur dy pika: e para të bisedohet për implementimin e aneksit të dakorduar në Ohër dhe çështja e dytë – bisedimet për çështjet aktuale.

“Diskutimi për sekuentim ka qenë pika më e rëndësishme në takimin e 4 prillit. Është kërkesë e BE-së që palët në vazhdimësi të ofrojnë diçka në mënyrë që most të krijohet përshtypje se kemi zbatim të njëanshme”- u shpreh ai.

“Si shembull, nëse palët dakordohen për personat e zhdukur në luftë, kjo do jetë dakordim dy palësh, po ashtu edhe nëse palët njohin dokumentet e njëri tjetrit, nuk është kompromis i Serbisë apo Kosovës, por dakordim”- ka thënë Bislimi.

Bislimi tutje potencoi se duke qenë se nuk kanë qenë aq dakord në gjitha pikat me propozimin e zotit Lajçak, dy palët në mbyllje të orarit të punës nesër do dërgojmë komentet dhe propozimet e tyre.

Bislimi shtoi se është diskutuar edhe për ekipin monitories, ku ka një mosdakordim se kush do jetë në krye të ekipit nga secila palë.

“Pjesa tjetër që është diskutuar ka të bëjë më themelimin e ekipit të përbashkët monitorues, ka një dakordim që grupi të jetë i formatit një plus një. Tek kjo pikë nuk ka dakordim të plotë për atë se si do duhej të dukej struktura në krye, Kosova ka kërkuar që në krye të mos jetë kryenegocatori, por dikush tjetër”- ka thënë Bislimi.

“Pika tjetër e diskutuar ka të bëjë me caktimin e personave kontaktues të cilët merren me organizmin të projekteve për konferencën e donatorëve e cila, sipas marrëveshjes, pritet të mbahet 150 ditë pas dakordimit të palëve”- shtoi kryenegociatori Bislimi.

Besnik Bislimi tha se pikë diksutimi ka qenë edhe dokumenti për personat e zhdukur me dhunë i cili, sipas tij, do publikohet pas aprovimit nga liderët e dy vendeve.

“Pika e katërt e diskutuar ka të bëjë me dakordimin e palëve për dokumentin e personave të zhdukur me dhunë. Ne kemi pas një propozim të zotit Lajçak i dërguar në shtator 2022, i cili për shkak të urgjencës së propozimit franko gjerman nuk ka mundur të vendoset në tavolinë të liderëve të lartë. Teksti do aprovohet dhe publikohet nga liderët në takimin e radhës”- tha ai.

Sipas Bislimit, ka pas një vërejtje në tekst nga pala kosovare e cila është pranuar nga delegacioni serb.

Derisa, tema e pestë ka qenë caktimi i datës për takimin e radhës të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Besnik Bislimi tha se propozimi ka qenë për datën 22 prill, por Presidenti i Serbisë ka thenë se nuk mund të vij në atë datë.

Temat më lartë kanë qenë në pjesën e parë të diskutimeve, kurse në atë të dytën është diskutuar për energjinë në veri të vendit dhe çështja e targave.

“Tek tema e energjisë e gjitha brenga është që për shkak të obstruksionit nga pala serbe që nuk i ka nënshkruar kontratat e KEDS, nuk po mund të normalizohet faturimi dhe inkasimi”- tha ai.

Kurse, lidhur me targat, Bislimi potencoi se në prag të takimit është shtuar aktiviteti i strukturave kriminale në djejgie të makinave që morën regjistrim të Kosovës.

“Lidhur me targat ekziston një brengë që ka potencial nga ana e Serbisë për destabilizim të situatës, ashtu si ndodhi javën e kaluar me djegje të disa makinave. Nga 31 mars deri 1 prill nuk ka pasur asnjë regjistrim për shkak të frikës së do u digjen makinat. Derisa, gjatë muajit mars ka pas shumë makina që  janë regjistruar me tabela të Kosovës, mbi 130 në ditë”- tha Bislimi.

Besnik Bislimi për fund tha se është konsoliduar teksti dhe nuk mund të ketë ndryshime.