FOTO: Screenshot: Policia e Shtetit/Facebook.

Bastet online në Shqipëri, policia arreston dy persona, ndjek penalisht disa të tjerë

Veprimtaria e basteve online është e ndaluar në Shqipëri andaj herë pas here, policia atje realizoi aksione të ndryshme dhe arrestoi persona të ndryshëm.

Në operacionin e fundit policor atë të koduar me emrin si “Vakum” policia vuri në pranga dy persona dhe katër të tjerë do të hetohen në liri.

Sipas njoftimit të policisë, Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Vakum”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit E. R., 31 vjeç, dhe R. M., 40 vjeç, të dy banues në Tiranë.

“Gjithashtu, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit Gj. D., 60 vjeç, A. A., 40 vjeç, A. E., 47 vjeç, R. Ç., 23 vjeç, të gjithë banues në Tiranë”- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa subjekte në Tiranë, u konstatuan këta shtetas, në celularët e të cilëve, shërbimet e Policisë gjetën faqe dhe linqe që shërbenin për vënien e basteve sportive.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, pesë telefona celularë që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.