Basha: Vendimi i lëvizjes "Berisha" nuk ka asnjë vlerë ligjore e politike

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike ka miratuar unanimisht rezolutën, e cila u propozua një ditë më parë nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, e cila dënon lëvizjen dhe veprimet të ndërmarra nga ish-kryetari i partisë, Sali Berisha.

Përmes një postimi në Facebook, ku edhe ka publikuar këtë rezolutë, Basha ka thënë se do t’i mbrojnë vlerat e PD-së.

“Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike foli qartë. Edhe më qartë do të flasë Kuvendi Kombëtar më #18Dhjetor. Ne do të zgjedhim të ardhmen, në mbrojtje të vlerave të shenjta të Partisë Demokratike dhe për ta shndërruar atë në forcën qeverisëse që shqiptarët meritojnë”, ka shkruar Basha në Facebook.

Ndërsa në rezolutën e publikuar, vendimi i djeshëm i krahut të Berishës për shkarkimin e Bashës nga pozita e kreut të PD-së është shpallur nul.

“Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbrojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA. Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike”, thuhet në rezolutë.

Dje, me 4,446 pro dhe 36 kundër është shkarkuar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Lulzim Basha shkarkohet nga pozita e kryetarit të PD-së