
Kandidati i AAK-së, Arbër Tolaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Koalicioni AAK-Nisma për terapinë hormonale: Do ta bëjmë pjesë të Listës së Barnave Esenciale nëse është e nevojshme
Koalicioni AAK-Nisma nuk e ka paraparë në kuadër të programit zgjedhor për shëndëtësinë përfshirjen e terapisë hormonale në Listën e Barnave Esenciale.
Sigurimi i kësaj terapie nga shteti është kërkesë e komunitetitit LGBTQ+.
Në lidhje me këtë çështje, kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, në “DebatPërnime”, i ka pyetur kandidatët për deputetë nga ky koalicion: Arbër Tolajn, Shemsedin Dreshajn dhe Zarife Asllanin, se si do të veprojnë karshi një kërkese të tillë, në rast se e marrin drejtimin e Qeverisë.
Përgjigja e Arbër Tolajt, ishte se nuk është planifikuar “decividivisht” për komunitetin diçka e tillë, mirëpo nëse është e nevojshme do të sigurojnë barnat për të gjitha komunitetet- pa dallim.
“Sa i përket komunitetit, ne decidivisht nuk e kemi planifikuar. Mirëpo nëse është e nevojshme duhet të ofrohen shërbimet shëndetësore, në këtë rast edhe me ilaçe, edhe me barna për të gjitha komunitetet pa dallim”- u përgjigj Arbër Tolaj në “Debat Përnime” me 20.01.2025.
Terapia hormonale për individë të komunitetit LGBTQ+, sidomos për individë transgjinorë ose jo-binarë, është një proces që përfshin përdorimin e hormoneve për të rregulluar karakteristikat fizike të një personi në përputhje me identitetin e tij gjinor. Qëllimi është të ofrojë një përvojë më të përputhshme me gjininë me të cilën një person identifikohet, sipas Asociacionit Botëror Profesional për Shëndetin e Transgjinorëve.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë pritet të mbahen më 09.02.2025, datë kjo e dekretuar nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.