
Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com.
A planifikon PDK-ja ta përfshijë terapinë hormonale në Listën e Barnave Esenciale nëse vjen në pushtet?
Partia Demokratike e Kosovës nuk ka ndonjë premtim konkret në lidhje me përfshirjen e terapisë hormonale në kuadër të Listës së Barnave Esenciale, por nuk e përjashton mundësinë që ta bëjë këtë gjë nëse vjen në pushtet.
Në lidhje me këtë çështje, që në fakt është edhe kërkesë e komunitetit LGBTQ+, kryeredaktori i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, në “Debat Përnime”, ka kërkuar përgjigje të drejtpërdrejt nga kandidatët për deputetë nga PDK-ja, Pleurat Sejdiu, Fatbardh Rexha, Mimoza Ahmetaj dhe Eliza Hoxha.
Kësaj pyetje i është përgjigjur Fatbardh Rexha duke thënë se qasja e PDK-së është që të bëhet një vlerësim periodik për nevojat për barna, duke marr parasysh të gjitha të drejtat e të gjitha kategorive që jetojnë në Kosovë.
“Vlerësimi për Listën Esenciale, qoftë me shërbime, qoftë me barna bëhet në bazë të performancave mjekësore dhe nevojave apo indikacioneve shëndetësore që duhet të bëhen në drejtim të ruajtjes dhe avancimit të shëndeti në përgjithësi”- u përgjigj Rexha ne debatin e transmetuar më 22.01.2025.
Mirëpo, në programin zgjedhor të PDK-së të publikuar në ueb-faqen e kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, nuk është publikuar ndonjë premtim specifik që ka të bëj me komunitetin LGBTQ+.
Terapia hormonale për individë të komunitetit LGBTQ+, sidomos për individë transgjinorë ose jo-binarë, është një proces që përfshin përdorimin e hormoneve për të rregulluar karakteristikat fizike të një personi në përputhje me identitetin e tij gjinor. Qëllimi është të ofrojë një përvojë më të përputhshme me gjininë me të cilën një person identifikohet, sipas Asociacionit Botëror Profesional për Shëndetin e Transgjinorëve.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025, datë kjo e dekretuar nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.