Komuna e Novobëdës
Banorët tregojnë hallet e Novobërdës, qeverisja hesht
Problemet e zakonshme me shërbime publike, bërllok e infrastrukturë po e përcjellin edhe njërën nga komunat me demografi karakteristike në Kosovë.
Novobërda ka një popullsi po thuajse gjysmë serbe e gjysmë shqiptare dhe një përqindje të vogël të komuniteteve tjera.
Të gjithë komunitetet pa dallim, megjithatë, kanë shprehur shqetësimet dhe problemet për të cilat presin zgjidhje nga qeverisja komunale.
Që tri vite, Novobërda udhëhiqet nga Svetislav Ivanoviq nga partia Lista Serbe. Me një buxhet prej 2 milionë eurosh, Komuna e Novobërdës përballet me probleme të shumta në shumë sfera të jetës.
Vetë Ivanoviq nuk pranoi të ballafaqohet me kërkesat dhe problemet e banorëve të Novobërdës në një debat televiziv ndërkohë, përformanca e tij në komunë u kritikua nga opozita dhe raportet që vlerësojnë progresin e qeverisjes lokale.
Komuna me shumë potenciale të zhvillimit ka ngecje në infrastrukturë, rrugë dhe kanalizime, ndërsa barazia në qeverisje është koncept i largët.
Vetëm 1 nga 9 drejtoritë e komunës udhëhiqen nga gratë e kësaj komune.
Në qeverisjen e tij, Svetislav Ivanoviq nuk shquhet për transparencë. Ai refuzon takimet publike dhe nuk është i gatshëm të jetë pjesë e debateve me qytetarë e me opozitën e kësaj komune.
Të dhënat nga Auditori tregojnë se gjatë vitit 2019 ka patur keqpërdorime në punësime dhe keqpërdorime në ndarjen e subvencioneve.
Të dhënat tregojnë se komuna i dha kontratë organizatës jo-qeveritare “CPT” pa i përmbushur kriteret dhe se kjo procedurë ishte në kundërshtim me kriteret ligjore.
Performanca në Novobërdë është në nivel të ulët. Kjo komunë rënditet në fundin e tabelës së Raportit të Performancës, pasi zë vendin e 31-të në këtë listë.
Komuna ka marr zero pikë në konsultimet publike, në mbledhjen e mbeturinave, në diskutimin e raportit të auditorit dhe atij të perfomancës.
Në pikat negative në këtë raport është përmendur edhe mungesa e kryetarit të komunës në mbledhjet e asamblesë. Sipas raportit kryetari nuk ka marrë pjesë në asnjërën prej mbledhjeve të asamblesë.
Janë 44 pika në raportin e performancës ku komuna ka zero pikë dhe në komunë askush nuk pranon të flasë për këto dështime.
Ndryshe nga qeverisja lokale, banorët e Novobërdës tregojnë hallet dhe problemet e përditshme.
Fshati më i madh i Novobërdës është Llabjani. Në këtë zonë, banorët nuk kanë as ujë e as kanalizim dhe nuk marrin shërbime komunale të pastrimit të mbeturinave.
Një investim i komunës në kanalizim ka dështuar pasi ujërat e zeza derdhen në lumin e fshatit e nga aty në liqenin e Badovcit, prej të cilit furnizohet me ujë gjysma e Prishtinës.
Emin Gashi, banor i fshatit Llabjan thotë se është bërë e vështirë të jetohet nga era që kundërmon nga kanalizimi që kalon pranë shtëpisë.
“Na kemi problem që kanalizimi na ka ardhë në mes të fshatit kurse ne s’kemi kanalizim. Problem tjetër është se, është është prblem me jetu prej erës së kanalizimit edhe e dyta, fshatarët tjerë po i bijnë këtu kanalizimet se s’kanë kah i qojnë tjetër. I treti problem është, kjo është rrjedhja kryesore për liqenin e Badovcit me ujë e, këto mbeturina me shku ku pijnë njerëzit ujë, nuk besoj që ka në këtë Evropë”, thotë.
Përveç kanalizimit, ai thotë se fshati nuk ka rrjet të ujësjellësit për ujë të pijes.
“Nuk jam dal me akuzua kërkënd o burrë, ne s’kemi ekonomi, bile le të na hjekin ëc-të prej katuneve, ktu edhe dy kilometra me pas dërgua, ish pastru ky ambient. është jeta shumë problematike këtu. Ujësjellës kemi bë kërkesë hic, se na ka humbë mendjen era, njëherë kjo është e ngutshme, era me nau hjekë se është telashe e madhe. Kemi nevojë edhe për ujësjellës, në shekullin e 21 në Kosovë, sa dy qytete të Gjermanisë, me pas problem hala me kanalizim, nuk është korrekte”, thotë banori I fshatit Llabjan.
Komuna e Novobërdës për vite me radhë ka dështuar të merrë para shtesë nga granti i performancës për shkak të keq-qeverisjes dhe mos përmbushjes së kritereve të vlerësimit. Në mungesë të fondeve, qytetarët kanë mbetur pa investime të domosdoshme si uji e kanalizimi.
Në mungesë të kujdesit nga komuna, banorët e fshatit Vllasali u detyruan vetë t’i rregullojnë prishjet e pajisjeve që ua çon ujin në shtëpi.
Nuredin Vllasaliu, banor nga fshati Vllasali thotë se premtime patën nga komunarët, por telashet në ujësjellës nuk u rregulluan kurrë.
“Komuna na ka thënë që do t’i rregullojmë prishjet, hidrofor e të tjera, jemi kanë nja 2-3 herë, po kurgjë. Na jemi mbetë pa ujë të pijës, tërë fshati, ka na mbetë edhe verës. Kërkesa është që të interesohen për punën e ujit, ka nevojë fshati, se pa ujë nuk po mundesh me funksionu kurgjë, as makina e lamjës, cdo sen që është me ujë”, thotë ai.
Nuredin merret me bujqësi dhe blegtori. Ai ka 42 krerë lopë e mbi 250 dele por mungesa e ujit dhe mbështetjes nga komuna ia ka vështirësuar jetën.
“Me pas kanë sikur komunat e tjera me na nimu edhe neve, ish kanë një dihmë shumë e madhe për ne si fermerë, sikur në komuat tjera, ishin interesua njerëzit më shumë me zhvillu bujqësinë, me u ngritë, po ne vetëm prej minisrisë që marrim subvencion, tjetër nuk marrim kurrë”, deklaron ai.
Novobërda është ndër të paktat komuna në Kosovë ku nuk ka transport publik. Në mungesë të transportit qytetarët e varfër të zonës duhet të bëjnë kilometra të tëra në këmbë.
Në fshtin Pasjak të Novobëdës është një deponi e madhe e mbeturinave.
Banorët e fshatit kanë kërkuar nga komuna që të pastrohet. Edhe për këtë problem, sikur për të tjerat, premtimet nuk kanë munfuar.
“Mbi 10 shtëpi këtu i kemi bunarët ku e marrim ujin e pijës, i kemi fduat këtu. Këtu kanë qitë edhe eshtra, po tash i kanë nal. Kanë dal kryetari e inspektorët në vendngjarje, më kanë premtu që më nuk do t’i hudhin, edhe eshtra më nuk kanë qitë. Ama, mbeturinat tjera, nuk janë nalë prapë. Kërkesa jonë është, me i ndal e me i hjekë këto mbeturina, se as nuk mund të daim as me lopë, ato po hajnë najllona, era e madhe. Premtimin e kam që kanë mi hjek, se di a heqin”, Etem Miftari, banor i fshatit Pasjak.
Në Novobërdë banorët ankohen edhe për diskriminim në baza etnike. Romët përbëjnë 1% të popullsisë dhe nuk kanë fuqi të madhe përcaktuese në vota andaj ata pretendojnë se janë lënë anash në zonat ku ata jetojnë.
Ramiz Jashari, nga fshati Bostan thotë se kanë nevojë për punësim e shtrim të rrugës.
“Problemet e serbve po i kryejnë, e neve jo. Ne kemi problem me social, problem kemi me ujë, një herë në javë kemi ujë. Kemi problem me rrugë, kjo është e rregulluar nga vetë ne që shumë kohë”, thotë ai.
Kritika për qeverisjen locale kanë edhe nga partitë opozitare në Kuvendin Komunal të Novobërdës.
Ramush Mehmeti, asamblist nga partia Aleanca Kosova e Re thotë se kryetari i komunës injoron Kuvendin Komunal.
“Fatkeqsisht, mund të them se që tri vite, kryetari i komunës nuk është ulë në sallën e Kuvendit para anëtarëve të Kuvendit me raportua për punën e vetë dhe për detyrat që i ka ndaj qytetarëve të komunës”, thotë Mehmeti.
Në të dhënat e raportit të performancës qeverisja e Novobërdës është renditur në fund të listës për shkak të mungesës së transparencës dhe llogaridhënies. Kryetari i komunës për tri vite asnjëherë nuk e ka denjësuar asamblenë e komunës për të raportuar dhe diskutuar problemet e komunës.
Në Novobërdë edhe pse nuk ka koalicion zyrtar, Lidhja Demokratike e Kosovës qeverisë me dy drejtori të Komunës. Edhe pse është pjesë e partisë, asambleistja e LDK-së, Xhejlane Behluli është kritike ndaj qeverisjes. Për të është shumë sfidues fakti që në Novobërdë qytetarët nuk mund të marrin kujdes shëndetësor pas orës 16, kur qendra e mjekësisë familjare mbyllet.
“QKMF këtu në Komunën e Novobërdës punon prej orës 8:00 deri në ora 16:00, qytetarët pas orës 16:00 detyrohen me shku në Gjilan ose në Prishtinë me u shërby, kjo është një kërkesë e kahmotshme, ky problem duhet me u zgjidh edhe me nivelin qendror, me ministrinë. Problem kanë edhe gratë shtatzëna u duhet me këru shërbime Gjilan ose në Prishtinë, paramendojeni sa larg”, thotë Xhejlane Behluli, Asambliste e LDK-së në Kuvendin Komunal të Novobërdës.