Gjykimi ndaj krerëve të UÇK-së

Avokati i Jakup Krasniqit kërkon që të përkthehen dokumentet në gjuhën shqipe

Aydan Elis, mbrojtës i Jakup Krasniqit, ka kërkuar që dokumentet e dorëzuara nga Prokuroria të përkthehen në gjuhën shqipe pasi i mbrojturi i tij nuk mund t’i lexojë në gjuhën angelze.

Në Dhomat e Specializuara në Hagë të mërkurën është mbajtur seanca e radhës ndaj Hashim Thaçit dhe tre bashkëluftëtarëve të tjerë, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen me krime të pretenduara lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjykimi ka vijuar i mbyllur me dëgjimin e dëshmitarit të katërt të Prokurorisë.

Ndërkaq, në fund të seancës, avokati Aydan Elis ka kërkuar nga Prokuroria që të përkthehen dokumentet në gjuhën shqipe.

Por, një kërkesë të tillë prokurori i çështjes, Matthew Holling, nuk e konsideroi si të obliguar pasi sipas tij mbrojtja duhet t’ia lexojë klientit dokumentet.

“Në lidhje me këtë dëshmitar janë dy dokumente, njëri ka të bëjë me korrigjime, ndryshime me intervista, deklarata  dhe tjetra është material i ri. Këto i janë dhënë mbrojtjes vetëm në anglisht dhe është disavantazh sepse Jakup Krasniqi nuk lexon anglisht. Do të na ndihmonte shumë, sidomos kur të marrim udhëzime për këto çështje brenda kohës së kufizuar, nëse do të jenë në shqip që ai të paktën t’i lexojë”-ka thënë mbrojtësi Aydan Elis.

Lidhur me këtë gjykatësi Charles Smith III do të japë përgjigje të enjten.

Gjatë gjykimit trupi gjykues gjithashtu ka pranuar edhe dy prova materiale të identifikuara si P67 dhe P68.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po akuzohen me katër krime të pretenduara lufte dhe gjashtë kundër njerëzimit, ku përfshihen përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Prokuroria po pretendon për mbi 400 viktima të mbajtjes në qendrat e ndalimit, mbi 100 vrasje dhe 20 të zhdukur me dhunë.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) më 27 shkurt 2023 e ka dorëzuar një version publik më pak të redaktuar të aktakuzës së ndryshuar në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Të katër akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me pretendimet e Prokurorisë  Speciale.

KALLXO.com ka raportuar për të gjitha zhvillimet në këtë çështje dhe raportimet mund t’i gjeni në këtë LINK.