Atiq propozon ndarjen e 300 eurove për fëmijët e lindur më 2024 dhe 500 euro për çiftet e reja

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka njoftuar se ka dërguar në Komunitetin për Politikë dhe Financa (KPF) propozim-vendimin për ndarjen e nga 300 eurove për fëmijët e lindur këtë vit.

Ai ka propozuar edhe ndarjen e nga 500 euro për çiftet e reja.

Në vendim thuhet se shuma e mjeteve për fëmijë do të paguhet në llogarinë bankare të nënës, ndërsa pagesa për çiftet e reja do të bëhet në llogarinë bankare të bashkëshortes.

“Sot kam dërguar propozim vendimin në KPF për mbështetje financiare në shumë prej 300 euro për fëmijët e lindur në vitin 2024 si dhe nga 500 euro për çiftet e reja. Ashtu siq jemi zotuar, do të angazhohemi maksimalisht për t’i realizuar premtimet tona”- thuhet në postimin e tij në Facebook.

Ndërkohë, të hënën në Mitrovicë të Veriut është dorëzuar peticioni për shkarkimin e kryetarit.

KALLXO.com ka kontaktuar me kryesuesin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, i cili ka dhënë detaje lidhur me dorëzimin e peticionit.

Ai tha se peticioni për këtë komunë është dorëzuar rreth orës 13:00 dhe se për këtë është njoftuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal.

“Janë mbledhur gjithsej 4 mijë e 148 nënshkrime” – tha Uglanin.