Pamje nga Kaçaniku | Foto: KALLXO.com

Asnjë rast me coronavirus në Kaçanik

Komuna e Kaçanikut ka njoftuar se nga takimi i shtabit komunal për parandalimin e coronavirusit, asnjë rast me këtë virus nuk është paraqitur në këtë komunë.

Kjo komunë ka kërkuar nga qytetarët që të marrin masat mbrojtëse, përderisa në fotografitë e postuara në Facebook, shihet se anëtarët e shtabit nuk janë pajisur me maskë, dorëza e as nuk i janë përmbajtur distancës mes vete siç rekomandohet vazhdimisht.

“Shtabi komunal bëri thirrje që të mos bëhet panik në opinion, por njëkohësisht të ndiqen me kujdes udhëzimet dhe rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtarë i Shëndetit Publik”, thuhet në komunikatën e Kaçanikut.

Ndërkaq, thuhet se kryetari Ilazi bëri të ditur se si masë parandaluese, është bërë dezinfektimi i objekteve publike, ndërsa shprehu shqetësimin e tij për mungesë të ushqimeve esenciale sidomos tek disa familje me asistencë sociale.

“Në këtë takim u bë e ditur se nga 4 marsi është duke u dërguar një ekip mjekësor edhe nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kaçanik në pikën kufitare në Han të Elezit, ndërsa kjo qendër është e gatshme me të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion për të qenë në shërbim të qytetarëve. Shkollat dhe xhamitë vazhdojnë të jenë të mbyllura si dhe bizneset me veprimtaritë që janë ndaluar nga institucioni qendror”, thuhet më tej.

 

“Nga qytetarët kërkohet t’i shmangin lëvizjet e panevojshme, të marrin masat mbrojtëse si dhe të ruajnë qetësinë publike, kurse rastet e dyshuara të vetizolohen dhe të kërkojnë asistencë profesionale shëndetësore”, përfundon komunikata.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.
Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.
Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.

 

Një rast i dyshuar për coronavirus në Kaçanik, izolohen dy familje