Artane Rizvanolli: Rënia e bllokut B2 shkaktoi rënie të prodhimit të energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konference për media ka folur rreth krizës energjetike në Kosovë.

Ajo potencoi se ka rënie të prodhimit për shkak të rënies së bllokut B2 të KEK-ut.

Rizvanolli po ashtu theksoi se edhe prodhimi i energjisë në Evropë është përkeqësuar.

“Fatkeqësisht ne kemi një nivel më të ulët të prodhimit për shkak të rënies së prodhimit nga blloku B2, i cili ende nuk është në funksion, bursat e energjisë në Evropë janë rritur dukshëm, prodhimi i energjisë në Evropë nuk është rritur. Situata në Evropë është përkeqësuar, dhe edhe në Kosovë është kjo situatë pasi nuk ka energji për të blerë”, tha Rizvanolli.

Ajo po ashtu tregoi edhe përqindjen e kërkesës bazë dhe pikun më të lartë të shpenzimit.

“Kemi rritje 7-fish në krahasim me çmimin e energjisë në tregun evropian, 37 për qind e çmimit për kërkesën bazë, kurse 47 për qind kur arritet kulmi i shpenzimit”, shtoi ajo.

Rizvanolli potencoi se Serbia po ashtu ka bllokuar linjën energjetike drejt nesh. Kjo shkakton ngarkesa në rrjete edhe vende tjera fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.

Sipas saj, konsumi më i lartë është regjistruar më datë 21 dhjetor.

“Konsumi i energjisë është më i larti i regjistruar ndonjëherë në vendin tonë. Në datën 21 dhjetor është rritur për 14 për qind nga data 19 dhjetor”, shtoi Rizvanolli.

“Vendimin për reduktime e kemi përkrahur për shkak të krizës në të cilën gjendemi”, tha ajo.

Ministrja tutje shtoi se Kosova nuk është i vetmi vend në këtë krizë, duke arsyetuar edhe vendimin për ndihmën e Qeverisë ndaj KEK-ut.

“Kosova nuk është e vetme në këtë krizë, sektori i prodhimit në BE është duke u përballur me mbylljen e fabrikave për shkak të krizës. Deri më tani sektori energjetik dhe Qeveria kanë mbajtur barrën e krizës energjetike që e kemi, në mbledhjen e kaluar Qeveria ka ndarë 20 milionë euro për KEK duke mbrojtur qytetarët e Kosovës”, tha ajo.

Derisa, në mbledhjen e sotme është votuar për t’i kthyer KOSTT-it dividendën prej 20 milionë euro.

“Në mbledhjen e sotme kemi votuar për t’i kthyer KOSTT-it dividendën 20 milionë euro, pas kërkesës së bërë nga KOSTT. Si Qeveri kemi kërkuar nga operatorët që t’i njoftojnë konsumatorët për planet e reduktimeve, kërkojmë mirëkuptim nga konsumatorët, dhe mbështetje per ta tejkaluar këtë situatë të jashtëzakonshme”, tha për fund Rizvanolli.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.