Arsyetimi i PZAP që refuzoi ankesën për numërimin e votave të diasporës

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dje mori vendim që të refuzojë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje si të pabazuar për numërimin e rreth 5 mijë votave të ardhura nga diaspora.

PZAP në përbërje nga gjyqtarët Fejzullah Rexhepi (Kryesues), Nenad Llazic, Afjete Sada – Gllogjani, Kymete Kimete, Zyhdi Haziri, Rrustem Thaqi, Ferki Xhaferi, Faton Ademi dhe Adnan Konushevci(anëtarë), refuzoi si të pabazuar apelin e LVV-së që urdhëronte Komisionin Qendror të Zgjedhjeve  që t’i dërgonte në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve 4 mijë e 639 fletëvotime për numërim të dërguara nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës.

Sipas arsyetimit, apeli i LVV-së është i pabazuar sepse sipas shkresave të lëndës rezulton se “në mes të palëve në procedurë, në këtë rast është kontestuese se 4 mijë e 639 pako me fletëvotime nga votuesit jashtë Kosovës, janë pranuar nga KQZ-ja, nga data 08.10.2019 deri më datë 11.10.2019, pas ditës së zgjedhjeve të datës 06.10.2019 dhe nuk është kontestuese se këto pako me fletëvotime janë dorëzuar nga votuesit jashtë Kosovës, përmes postës në shtetin ku jetojnë nga data 10.09.2019, e deri më datë 30.09.2019”, thuhet në arsyetim.

“Kontestuese në këtë rast mbetet vetëm çështja e vlefshmërisë së këtyre pakove me fletëvotime, si të rregullta pasi që në KQZ, të njëjtat janë pranuar pas afatit të paraparë ligjor, për pranimin e pakove me fletëvotime nga votuesit jashtë Kosovës”, thuhet tutje në arsyetimin e PZAP-së.

Tutje, paneli i PZAP-së ka përmendur edhe ligjet mbi të cilat rregullohet koha e pranimit të fletëvotimeve në KQZ, e sipas arsyetimit nuk janë respektuar.

 

KËTU mund ta lexoni të plotë vendimin dhe arsyetimin e PZAP-së.

Dje gjatë ditës, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do ta apelojë refuzimin e PZAP-së në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Supremja kërkon të numërohen votat e Diasporës

www.kallxo.com