Foto: RTK

Arsyetimi i Kurtit për mospjesëmarrjen në takimin e 11 majit në Bruksel

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk do të marrë pjesë në takimin më 11 maj në Bruksel, të paralajmëruar nga Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe atë të Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Borrell kishte paralajmëruar se në këtë takim do të rinisë dialogu Kosovë-Serbi.

Por, kryeministri kosovar Albin Kurti ka thënë sot në Bruksel, se nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në atë takim.

Ai ka rithekusar se dialogu nga ana e Kosovës duhet të jetë i përgatitur mirë.

“Unë nuk mund të marr pjesë në atë takim, për të cilin nuk e kam konfirmuar paraprakisht pjesëmarrjen, prandaj ajo çfarë mund të konfiromoj është që do të vij në Bruksel për një drekë ose darkë pune të organizuar nga Komisioneri Borrell nga mesi i muajit maj, ku bëjnë pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor”, tha ai para mediave.

Sipas Kurtit, para rifillimit të dialogut duhet të ketë më shumë takime në rajon dhe Evropë.

“Vizita që kemi këto dy ditë në Bruksel është në kuadër të marrëdhënieve tona biletarale dhe besoj që na nevojiten edhe më shumë marrëdhënie të tilla të forcuara biletarale të Prishtinës me kryeqytetet evropiane dhe takime të tilla të rajonit para se të fillojmë kapitullin e ri të dialogut që duhet të jetë i përgatitur mirë dhe me parime për shkak se nuk e kemi komoditetin për dështime të reja”, theksoi ai.