Ilustrim

Arrestohen katër persona të dyshuar për keqpërdorim të kartelave bankare

Katër persona në Prishtinë janë arrestuar sot nën dyshimin se kanë keqpërdorur kartela bankare, duke siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna të kartelave bankare dhe se kartelat pastaj i kanë përdorur për blerje të mallrave të ndryshme.

Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës përmes një njoftimi në të cilin ka thënë se Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, nën dyshimin e përfshirjes së disa të dyshuarve në veprën penale ‘lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’, pas kryerjes së hetime paraprake, sot kanë zbatuar urdhëresën e gjykatës për kontrollin e lokacioneve të të dyshuarve.

Sipas njoftimit, Policia ka kryer kontrolle në katër lokacione në rajonin e Mitrovicës së Jugut, ku janë gjetur e sekuestruar disa prova materiale të cilat do të përdorën në procedurë të mëtejme.

Policia ka bërë të ditur se gjatë operacionit policor janë arrestuar një 22-vjeçar, një 21-vjeçar dhe dy 20-vjeçarë.

“Dyshohet se këta të dyshuar kanë keqpërdorë kartela bankare, duke siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna të kartelave bankare, kartelat pastaj i kanë përdorur për blerje të mallrave të ndryshme” – thuhet në njoftim.

Policia po ashtu ka bërë të ditur se të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas me aktvendim të prokurorit, tre të dyshuarit e parë dërgohen në mbajtje deri ne 48 orë, kurse lënda ndaj të dyshuari të katër do të zhvillohet në procedurë të rregullt.