'Armët kanë qenë funksionale'- Eksperti që kishte bërë ekzaminimin e armëve në rastin e vrasjes së Agonis Tetajt

Gjykimi për rastin e vrasjes së Agonis Tetajt që kishte ndodhur në vitin 2018, ka vazhduar me dëgjimin e shtatë dëshmitarëve nga gjithsej dhjetë të ftuar për të dhënë versionet e tyre në rastin ku të akuzuar për këtë rast janë Shaban Gogaj e Isuf Cacaj.

Ekspertët i balistikës  Qëndrim Topalli dhe eksperti Lutfi Raci që kishte përpiluar ekspertizën për ekzaminimin e dy pistoletave të gjendura në vendin e ngjarjes, deklaruan se qëndrojnë në tërësi pranë ekspertizave të tyre të përpiluara për këtë rast.

“Qëndroj para kësaj që e kam thanë, prapa konstatimit që e kam dhanë në herën e parë, që e kam paraqit në katër pika me mënyrën e veprimit të armës…Në plotësimin e ekspertizës kanë qenë tri pyetje, pyetja e pare ka qenë ‘Të sqarohet nëse nga shikimet me video mund të konstatohet se arma apo pistoleta e ka poseduar karikatorin apo është vendosur nga i pandehuri?’ Kësja pyetje ju kemi përgjigjur se duke konstatuar se karikatori në video shihet që nuk ishte plotësisht i vendosur në armë…” -tha eksperti Topalli.

Lutfi Raci tha se armët që ishin gjetur në vendin e ngjarjes e që kanë qenë objekt i ekzaminimit, gjatë testimit kanë dalë që janë funksionale.

“Armët, objekt ekzaminimi gjatë qitjeve testuese dhe provuese që kemi bërë, kanë qenë funksionale. Këtë konstatim e kemi dhanë me shkrim”- tha eksperti Raci.

Që të dy ekspertët u deklaruan se gjatë përpilimit të ekspertizës dhe gjatë dhënies së dëshmisë së tyre në gjykatë nuk kanë qenë të ndikuar nga askush.

Gjykimi tutje vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve, Blerim Tigani si zyrtar i teknikës kriminalistike në stacionin policor në Pejë, Sami Lekaj zyrtar policor në rolin e mbikqyrësit të vendit të ngjarjes, Hysen Demalija zyrtar në ekipin reaguese të stacionit policor në Decan, Skender Sejfijaj – po ashtu zyrtar policor dhe Muhamet Sinanaj – zëvendësudhëheqës i ndërrimit pranë stacionit policor në Decan.

Që të gjithë dëshmitarët u deklaruan se mbesin pranë të thënave që kishin dhënë për këtë gjykim dhe të njëjtit u deklaruan se nuk kishte pas ndikim apo ndonjë lloj presioni për të dëshmuar atë që kanë thënë.

Në këtë gjykim ishin ftuar për të dëshmuar edhe Petrit Mazrekaj dhe Ymer Hylaj për të cilët gjykata tha se nuk ka dëshmi se ju ka shkuar ftesa në mënyrë të rregullt.

Ndërsa Agron Hasani ishte prezent në gjykatë por që kishte kërkuar leje që të dëshmojë një ditë tjetër për shkak të disa angazhimeve të tjera.

Në këtë seancë nuk ishin të pranishëm prindërit e viktimës, për të cilët palët në procedurë u pajtuan që deklaratat e tyre të konsiderohen të lexuara. Propozim për të cilin pritet të vendos trupi gjykues në përbërje prej Violeta Husaj Rugova në cilësinë e kryetares Shaqë Curri dhe Sami Sharragjiu- anëtarë.

Kurse aktakuzën në këtë rast është duke e përfaqësuar prokurori Isuf Sadiku.

Seanca e radhës për këtë rast u caktua të mbahet me 19 dhjetor të këtij viti.

Kujtojmë që Shaban Gogaj në seancën e parë të rigjykimit të mbajtur me 28 shtator të këtij viti, nuk kishte pranuar të deklarohet lidhur me fajësinë për veprën penale – vrasje e rëndë. I akuzuari kishte thënë se po të akuzohej për vrasje nga pakujdesia do ta pranonte fajësinë.

Në këtë proces gjyqësor së bashku me Gogajn i akuzuar është edhe Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje, gjë për të cilën Cacaj kishte pranuar fajësinë.

Shaban Gogaj nga Gjykata e shkallës së parë më 12 tetor të vitit 2022 ishte dënuar me 7 vite e gjysmë dënim me burgim për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.

Me këtë vendim Apeli nuk ishte pajtuar duke e kthyer rastin në pikën zero.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A.H. dhe F. Z.

Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karrigia e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.