Detaje nga aktakuza që Edmond Lajçi e kishte për dhunë ndaj Gjyljeta Ukellës: Dhunë psikike e ofendime në vazhdimësi për 3-4 vite
Edmond Lajçi, i dyshuar për vrasjen e gruas së tij Gjyljeta Ukella sot me 16.04.2024 në Pejë, në vitin 2021 kishte aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Pejë, për veprën penale “Dhunë në familje”.
KALLXO.com ka siguruar aktakuzën ndaj tij që ishte ngritur me 05.10.2021 e që kishte përfunduar me dënim nga Gjykata Themelore në Pejë me 100 euro gjobë e me burgim prej 3 muaj.
Lajçi nuk kishte mbajtur burg për shkak se me kërkesë të tij, i ishte zëvendësuar me dënim me gjobë prej 300 euro, që në total kishte paguar 400 euro.
Në aktakuzë thuhej se Lajçi me datë 22.09.2021 rreth orës 17:40 në shtëpinë e tij në Pejë kishte ushtruar dhunë psiqike ndaj gruas së tij, tashmë të ndjerës Gjyljeta Ukella.
Sipas aktakuzës, Lajçi kishte 3-4 vite që ofendonte vazhdimisht me fjalë gruan e tij.
“Në atë mënyrë që ditën kritike pas një zënke verbale që kishin në mes veti, për shkak se i pandehuri ka 3-4 vite vazhdimisht e ofendon me fjalë të dëmtuarën, duke i thënë se “ti je k**vë, vëllai yt po do me të nda dhe me të martu me miqasinë e tij, gjysma e Pejës janë frajerat e tu, e shumë fjalë të tjera, ku e njëjta e lajmëron rastin në polici” – thuhej në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Nga Gjykata Themelore në Pejë kanë konfirmuar për KALLXO.com se ndaj Lajçit ishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 100 euro, si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 muajsh, i cili dënim me kërkesën e të pandehurit ishte zëvendësuar më pas me dënim me gjobë në shumën prej 300 euro.
“Ju njoftojmë se i njëjti [Edmond Lajçi] me Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, të datës 01.02.2022, është shpall fajtor për vepër penale dhuna në familje nga neni 248 par.1 të KPRK-së, për të cilën vepër i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 100 euro, të cilën gjobë është obliguar që ta paguaj në afat prej tre muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit si dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej tre muaj, i cili dënim me kërkesën e të pandehurit i është zëvendësuar me dënim me gjobë në shumë prej 300 euro, e të cilin dënim është obliguar ta paguaj jo më vonë se tre muaj pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm” – ka thënë zëdhënësja e Gjykatës, Tringa Zhuti.
I dyshuari për vrasjen në Pejë, para dy vjetësh ishte dënuar me gjobë për ‘dhunë në familje’
Dy gra vriten brenda pesë ditësh në Kosovë