Vrasja e Agonis Tetajt, eksperti i balistikës tregon për aftësitë e të akuzuarit në përdorimin e armës
Shaban Gogaj, i akuzuar për vrasjen e Agonis Tetajt, është ballafaquar në gjykatë me dëshminë e ekspertit të balistikës, Qëndrim Topalli.
Shaban Gogaj po akuzohet se me armë zjarri e ka privuar nga jeta Agonis Tetajn, i cili ishte punëtor në kompaninë e të akuzuarit.
Eksperti Topalli para trupit gjykues tha se i akuzuari Gogaj ka pasur aftësi për përdorimin e armës së zjarrit.
Sipas ekspertit mënyra se si e ka kapur armën i akuzuari është një prej mënyrave si mësohet në shkollat e policisë apo poligonet e shenjtërisë.
Mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Besnik Berisha, kërkoi nga eksperti nëse mundët të konstatoj se a ka pasur devijim me rastin e shkrepjes së armës, meqenëse vijat e trajektores në fotografi sipas avokatit nuk ishin të drejtuara nga i ndjeri.
Eksperti deklaroi se çdo gjuajtje me armë zjarri shkaktohen devijim, mirëpo para se të ndodh devijimi predha veç e ka kaluar tytën e saj dhe se vijat e trajektores ishin përcaktuar nga stabilizimi i armës deri të e shtëna.
Eksperti sqaroi dallimin mes armës së zjarrit dhe asaj me gaz.
“Tyta që dallon armën me gaz dhe armën me municion nuk mund të përcaktohet me shikim vizuel”, shtoi eksperti Topalli.
Trupi gjykues me kryetare Violeta Husaj- Rugova, aprovoi propozimin e avokatit Besnik Berisha që të saktësohet nëse arma ka poseduar karikatorin paraprakisht apo është mbushur si dhe meqenëse është përcaktuar periudha e gjithë rrjedhjes së ngjarjes, të sqarohet se në cilin sekondë arma është shkrepë.
Poashtu, u aprovua propozimi i mbrojtësit të palës se dëmtuar, avokatit Berat Tmava që të ftohet eksperti i balistikës dhe të sqarojë dallimin mes armës së zjarrit dhe asaj me gaz.
Në seancë me propozim të avokatit Besnik Berisha do të ftohet edhe polici që ka përpiluar raportin që tregon edhe lidhur me gjendjen emocionale të të akuzuarit ditën kritike.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë se Pejës, më 23 shtator të vitit të kaluar, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj merr një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje aktakuza sqaron se i ndjeri Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të stogjeve përball tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të largohen edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxjerr revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendos karikatorin dhe e merr në shenjë të ndjerin Agonis Tetaj në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në lokalin e të akuzuarit.
Në këtë gjykim, që po zhvillohet në Gjykatën e Pejës, i akuzuar është edhe Isuf Cacaj. Ky akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Seancat e radhës mbahet me 14, 23 dhe 24 prill.