Salih Mustafa -Foto: Dhomat e Specializuara ne Hage
Apeli i Gjykatës Speciale sot shpall aktgjykimin për Salih Mustafën, i dënuar me 26 vjet burg për krime lufte
Dhomat e Specializuara në Hagë sot do të shpallin vendimin e Apelit për rastin e ish-komandantit të Njësisë BIA të UÇK-së, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte.
Shpallja e vendimit do të bëhet në ora 9:30 me një vonesë transmetimi prej 10 minutash.
Mustafa, në dhjetor të vitit të kaluar u dënua nga shkalla e parë me 26 vjet burgim për akuzën e mbajtjes dhe maltretimin e disa civilëve shqiptarë, një prej tyre i vrarë, në kompleksin e ndërtesave të Zllashit.
Ky vendim njëherit shënon edhe vendimin e parë për krime lufte të shqiptuar nga Gjykata Speciale, e cila ka selinë në Hagë të Holandës.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka mbrojtur dënimin prej 26 vjetësh, duke e vlerësuar si proporcional dhe të drejtë.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Salih Mustafës, Julius Von Bone, në dosjen e publikuar ka shprehur kundërshtime, duke argumentuar se dënimi i Mustafës është shqyrtuar në mënyrë të padrejtë, duke u bazuar në rrethanat e gabuara.
Ish-komandant “Cali” akuzohet për ndalim arbitrar, torturë, trajtim çnjerëzor dhe vrasje të paligjshme.
Ai ishte arrestuar në shtator të vitit 2020, duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.
Salih Mustafa ka qenë komandant i Njësisë BIA të UÇK-së, që operonte brenda Zonës Operative të Llapit.
Aktakuza e ngarkon atë me përgjegjësi penale për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.
Sipas aktakuzës, afërsisht midis 1 prillit dhe rreth fundit të prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa ushtarë, policë e roje të UÇK-së patën të njëjtin qëllim të përbashkët të marrjes në pyetje dhe keqtrajtimit të të ndaluarve në kompleksin e ndalimit në Zllash.
Qëllimi i përbashkët përfshinte krimet e specifikuara si të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Në lidhje me këto akuza Mustafa u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ndërkaq, ky rast përfshin 8 viktima pjesëmarrëse.
Gjykimi nisi më 15 shtator 2021 dhe u mbyll më 4 shkurt 2022. Pas paraqitjes së provave, çështja u dorëzua në korrik të vitit 2022. Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, kur Mustafa u shpall fajtor dhe u dënua me 26 vjet burg për krimet e luftës – ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Trupi gjykues e shpalli Mustafën të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor.
Vendimi për zhdëmtimin e viktimave u bë më 6 prill 2023, duke urdhëruar Mustafën të paguajë një shumë prej 207.000 eurosh si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat ai është shpallur fajtor.
Rastet gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë
Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në një proces ndaras, me akuza të ngjashme për krime lufte po përballet edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala. Ai akuzohet për keqtrajtimin dhe vrasjen e njërit prej të ndaluarve në burgun e supozuar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.
Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për të cilat me vendim fajësie janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.
Gucati u lirua me kushte të përcaktuara kurse Haradinaj vijon të mbetet në vuajtje të dënimit pasi lirimi i parakohshëm nuk iu aprovua për shkak të “mosrespektimit të rregullave”.
Me akuza për frikësimin gjatë procedurave penale dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare po përballen edhe veteranët Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi të cilët në paraqitjen e tyre të parë më 9 tetor 2023 janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Kurse, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Shala, më 13 dhjetor të këtij viti e shfrytëzoi të drejtën për të mos u deklaruar lidhur me fajësinë në paraqitjen e parë në Gjykatën Speciale.
Shala u arrestua në vazhdën e aksioneve të ZPS-së në kuadër të procesit hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me procesin gjyqësor ndaj Salih Mustafës mund t’i lexoni duke klikuar në LINK.