Anulohen dy seanca për rastin e njohur si "53 milionëshi"
Në Gjykatën e Prishtinës është anuluar seanca e së hënës (12.01.2026) për rastin e njohur si “53 milionëshi”, ku të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj, ish-këshilltari i tij politik, Eset Berisha, u.d. i drejtorit të prokurimit publik, Besim Tahiri dhe sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri. Ata po akuzohen për nënshkrimin e marrëveshjes për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve me kompaninë që ishte kontraktuar për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.
Siç mëson KALLXO.com arsyeja e anulimit të kësaj seance është mospërfundimi i ekspertizës financiare.
Si rrjedhojë e kësaj edhe seanca e planifikuar të mbahet nesër me datë 13.01.2025 është anuluar.
Në seancën e datës 03.11.2025 gjyqtarja Violeta Namani- Hajra kishte thënë se sipas detyrës zyrtare Gjykata do të angazhojë ekspertizë financiare sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte bërë precizimin e aktakuzës shumëfaqëshe të ngritur për katërshen e akuzuar për rastin e njohur si “53-milionëshi”, në lidhje me zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.
Lekaj, Berisha, Shatri dhe Tahiri, ishin gjetur fajtorë nga Gjykata e Shkallës së Parë më 31.01.2024.
Gjykata kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burgim dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimi të funksionit në administratë publike.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës në kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri, dhe drejtori i prokurimit publik në këtë Ministri, Besim Tahiri, ishin dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimi të funksionit në administratë publike.
Me këtë vendim të Themelores nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte gjetur një varg shkeljesh, me ç’rast kishte dhënë rekomandime për kthimin e rastit në rigjykim.
Një prej rekomandimeve ka qenë që të specifikohen saktë se cilat nene të Ligjit të prokurimit publik dhe cilat nene të Statutit të Kodit të Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror ishin shkelur nga të akuzuarit.
Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin/pagesën e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Sipas aktakuzës, katër të pandehurit me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare më 29 shtator 2017.
Sipas Prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera për autostradën “Arbën Xhaferi”, e njohur si “R6”.
Me Kontratën Bazë, e cila ishte lidhur në vitin 2014, parashihej që autostrada të përfundonte më 18 janar 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata do të përfundonte në fund të muajit dhjetor 2018.
Kjo marrëveshje, sipas Prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosto financiare, që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, sipas Prokurorisë, të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.
Tutje në aktakuzë thuhet se Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën, që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.
Kërkesa në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017. Pastaj, sipas Prokurorisë, ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro, pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të Komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor 2018.
Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin e bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare, lidhur me këtë projekt ishin: Komiteti Drejtues Ndërministror, i cili kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.
Sipas Prokurorisë, pagesa për shumën prej 53 milionë euro ishte në kundërshtim të plotë me rekomandimin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit, që ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës “Hill International”.
Në rekomandimin e bërë në vitin 2017, “Hill International” kishte thënë që shuma e vetme që do duhej t’i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro, krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro të tjera, në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit (dy kërkesat e fundit “Hill” i kishte konsideruar si të pabazuara). Këtë rekomandim, sipas Prokurorisë, e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.
Këtë opinion, sipas Prokurorisë, Pal Lekaj nuk e ka prezantuar fare në mbledhjet e KDNM-së, të mbajtura për këtë arsye.
Përmbajtja e aktakuzës vazhdon duke treguar se si Pal Lekaj dhe këshilltari i tij Eset Berisha kishin kërkuar nga drejtori i Departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli, ndryshimin e opinionit ligjor që e kishte përpiluar më herët lidhur me këtë rast.
“Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e Kontratës dhe Kompania mbikëqyrëse “Hill International”, si dhe Departamenti i Prokurimit Publik si nënshkrues i Kontratës, të cilët posedojnë njohuri të specializuara.” – përshkruhet të ketë qenë formulimi i opinionit paraprak ligjor nga Kamerolli, më 01.06.2018, me numër protokolli 5124.
Pas presionit që përshkruhet në aktakuzë se ka pasur drejtori i Zyrës Ligjore, Avdi Kamerolli, nga Eset Berisha (përmes dërgimit të një draft-opinioni të shkruar në e-mail) dhe Pal Lekaj, ka hartuar një version të ri të opinionit ligjor, duke e hequr emrin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” dhe duke e lënë si kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të MI-së.
Kështu, Pal Lekaj si kryesues i KDNM-së, duke fshehur dhe mos paraqitur gjendjen reale para anëtarëve të tjerë të këtij Komiteti (respektivisht, opinionin e kompanisë “Hill International”), e duke prezantuar tashmë opinionin e ndryshuar të Avdi Kamerollit, të së njëjtës datë 01.06.2018, por që mban numër tjetër të protokollit 5142, i ka shtyrë anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror që të rekomandojnë te Qeveria e Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enkës” për t’iu paguar shuma prej 53 milionë eurove – ashtu siç kishin kërkuar.
Duke mos përfillur opinionin e “Hill International” që parashihte pagesë për “Bechtel & Enka” për vetëm 14,778,654.87 euro, me të cilin vlerësim ishte pajtuar edhe kompania në fjalë, sipas Prokurorisë, me aprovimin e pagesës prej 53 milionë eurosh buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë euro.
Kështu, Prokuroria ka ardhur në përfundim se katër të akuzuarit në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Por, në bazë të përshkrimit të dispozitave të aktakuzës dhe aktvendimit të Prokurorit të Shtetit, të datës 7 gusht 2019, del se i pandehuri Eset Berisha ka ushtruar ndikim te drejtori i Zyrës Ligjore, Avdi Kamerolli, gjë për të cilën shprehimisht në aktakuzë nuk specifikohet, siç ndodh me përshkrimin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Kjo çështje penale po trajtohet në rigjykim nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra (kryetare) dhe Rrahman Beqiri e Donikë Shala-Abdyli (anëtarë). Kurse aktakuza përfaqësohet nga prokurorët, Atdhe Dema dhe Valdet Gashi.
Përbërja e trupit gjykues në rigjykim dallon nga përbërja e gjyqtarëve të cilët e kishin trajtuar herën e parë këtë çështje, e që ishin: Violeta Namani-Hajra (kryetare) dhe Vesel Ismaili e Musa Konxheli (anëtarë).
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në këtë link