Ambasadori Walker rrëfen për negociatat me Serbinë për lirimin e ushtarëve të UÇK-së

Në kujtimet e ish-ambasadorit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, janë edhe negociatat e “ndërlikuara” për lirimin e pengjeve mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ushtrisë së Serbisë.

Në “Reporting House” përball Jeta Xharrës, ai ka rrëfyer se si pas kundërshtimit të Serbisë për t’i liruar ushtarët e UÇK-së, njëjtë kishte vepruar edhe UÇK-ja duke refuzuar t’i lironte ushtarët e rinj serbë.

“Serbia fillimisht tha se nuk do të lironin asnjë kryengritës të UÇK-së. Dhe, UÇK-ja tha: ‘mirë, nëse ata nuk përgjigjen, as ne nuk do t’i lirojmë ushtarët e rinj rekrut serbë’ që ishin kapur nga UÇK-ja”- ka treguar ambasadori Walker.

Mirëpo, pas negociatave të gjata, me ndërmjetësimin e misionit verifikues të OSBE-së, ambasadori Walker, tha se arritën t’i bindin palët që të shkëmbenin të burgosurit edhe pse Serbia nuk ishte e gatshme të pranonte se ky ishte një shkëmbim.

“Fillimisht u desht që t’i lironim ushtarët serbë e më pas, pas një jave apo pak më vonë, ata i liruan luftëtarët e UÇK-së”- tha ai.

Ndërkaq, meritat për suksesin e këtyre negociatave, ambasadori Walker nuk ia adresoi vetës, por gjithë atyre që ishin bashkë me të në këtë mision që ishte jo i lehtë dhe shumë i rrezikshëm.

“Këtu erdhën vetë Misioni Verifikues në Kosovë (KVM), 1200 ndërkombëtarë nga e gjithë Europa, kryesisht të rinj, por disa edhe të moshuar, të paarmatosur në një situatë shumë të rrezikshme, dhe ata hynë këtu dhe dolën nëpër fshatra- ata dolën jashtë dhe u përballën çdo ditë me rrezikun”- tha ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë.

Tutje, ai tregoi se në mesin e stafit të tij kishte edhe të plagosur. U plagos një verifikues së bashku me përkthyesin e tij shqiptar dhe supozimi i tyre ishte së këtë e bëri ushtria serbe, mirëpo me vonë përgjegjësinë për këtë e mori vetë UÇK-ja.

“Doli që brenda pak orësh përgjegjësinë e mori UÇK-ja. Ata thanë se kishin bërë një gabim, thanë që ju vinte shumë keq dhe kjo kishte qenë e paqëllimshme” tha Walker.

Marrja e përgjegjësisë nga UÇK-ja për plagosjen e paqëllimshme të pjesëtarëve të OSBE-së, për ambasadorin Walker tregoi se “UÇK-ja ishte e gatshme të pranonte gabimet e saj”, gjë që sipas tij, dëshmonte për një nivel pjekurie.

Të plagosurit nuk ishin në rrezik jete dhe i mbijetuan këtij sulmi aksidental që kishte ndodhur në afërsi te Reçakut.

Reporting House është muze i rezistencës paqësore dhe të armatosur që është incuar nga BIRN (bashkëprodhues i Kallxo.com). Ky muze ka mbledhur mbi 30 orë arkiva nga periudha e të 90-tave për ta dokumentuar përvojën e civilëve në Kosovë dhe u hap me 10 qershor 2024 me rastin e 25 vjetorit të përfundimit të bombardimeve të NATO-së. Muzeu vazhdon të jetë i hapur çdo ditë nga e marta deri të shtunën nga ora 10:00-18:00 dhe hyrja është falas për vizitoret.

Në këtë muze shfaqen reportazhet nga masakra e Reçakut qe i kishte transmetuar BBC dhe NDR/Das Ertste, televizioni publik anglez dhe gjerman.