5,647 persona e vizituan "Reporting House" në gjashtë muajt e fundit të vitit 2024

Reporting House/Shtëpia e Gazetarëve, muzeu kundër harresës që mblodhi mijëra njerëz në Prishtinë.

Prishtinë, 31 dhjetor 2024 – Teksa të gjithë po numërojnë orët e ndërrimit të motmotit, ekspozita “Reporting House” (“Shtëpia e Gazetarëve”) në Prishtinë, numëron mijëra vizitorët e interesuar për të mësuar për historinë moderne të Kosovës.

E hapur më 10 qershor 2024, për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës, vetëm në gjashtë muajt e fundit të këtij viti, “Reporting House” u shndërrua në destinacion për 5,647 vizitorë nga vende të ndryshme të botës.

Ekspozita mblodhi të gjithë të interesuarit për historinë moderne të Kosovës të shënuar me rezistencën për liri dhe dokumenton periudhën 1989 – 1999, përmes punës së gazetarëve, kameramanëve dhe fotoreporterëve vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe veprave të artit bashkëkohor.

Interesim jashtëzakonisht të madh kanë shprehur edhe shkollat publike, kolegjet private, universitetet. 14 prej tyre vizituan “Reporting House” vetëm në tre muajt e fundit.

Festa e 28 Nëntorit, shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ishte dita rekord për nga numri i vizitorëve, ku vetëm brenda një dite 231 persona kaluan festën në hapësirën e muzeut.

E vendosur në katin e parë të ish-objektit “Gërmia”, shtëpisë së parë të mallrave në Kosovë, e ndërtuar në vitin 1973, “Reporting House” u shndërrua në një hapësirë jo vetëm dokumentimi, por edhe diskutimi e hulumtimi për gazetarë, hulumtues, e studentë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Personalitete të ndryshme publike shqiptare dhe ndërkombëtare, vizituan “Reporting House”. Disa prej tyre, më tepër se njëherë duke sjellë me vete familjarë, miq e të gjithë të interesuar për historinë moderne të Kosovës.

Më poshtë sjellim përshtypjet e disa prej vizitorëve të cilët dokumentuan përjetime të tyre nga ekspozita në librin e përshtypjeve të “Reporting House”.

Përshtypjet e vizitorëve

“Komplet forma qysh është organizu ky muze, ose qysh me quajtë, është diçka e jashtëzakonshme dhe mendoj se shumë, shumë është me rëndësi me ardhë këtu, sidomos fëmijët me i sjellë me e vizitu këtë vend sepse është vetë historia e dokumentune, jo e shpikun por e dokumentume përmes fotografive dhe videove” – thotë Ferid Berisha, ish-pjesëtar i UÇK-së, i njohur si “Komandant Shkupi”.

“Kjo ekspozitë mund të shihet si një studim më i thellë jo vetëm i luftës dhe pasojave të saj, por edhe i kushteve dhe rrethanave që çuan në të si dhe turbulencave të pasluftës në Kosovë duke i kontekstualizuar ngjarjet jo vetëm brenda Kosovës por edhe në rajon” – thotë Penesta Dika, kuratore dhe hulumtuese.

“Një kujtim i hidhur por i domosdoshëm i historisë moderne të Kosovës” – shkruan Lavdim Klaiqi më 12 dhjetor të këtij viti.

“Ky Muze i rezistencës historike, pavarësisht periudhave që po shfaqen, të gjitha paraqitjet që pata rast t’i shoh, paraqesin tërë rezistencën kombëtare deri tek akti i shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran” – shkroi Ali Ahmeti më 17 dhjetor gjatë vizitës së tij.

“Vetëm e vërteta pajton popujt” – shkruan Shpend Gjugja.

“Sa shumë kemi nevojë për publikimin e dëshmive të tilla” – shkruajnë Venera dhe Diana Gjugja.

“Historia që harrohet, përsëritet. Dikur në Kosovë, kurrë më! Bardha Kelmendi dhe Lis Sllamniku ishin këtu”.

“Nëse keni dashur që t’i jepni zë historisë suaj, ju keni arritur këtë [përmes Reporting House“, Alessia dhe Sara.

“Ju përgëzojmë për iniciativën e formimit të këtij Muzeu. Uroj që të kemi mundësi të vizitojmë muzeun e dokumentimit të luftës edhe me gjeneratat e tjera” – grupi i mësimdhënësve dhe nxënësve të shkollës fillore “Kadri Kusari” në Gjakovë.

“Kjo ekspozitë duhet të qëndrojë e hapur përgjithmonë! Sakrifica dhe vetëflijimi për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Me përkushtim të madh duhet të ruhet këtu në Reporting House. Ju përgëzoj për faktet e mbledhura të luftës së fundit në Kosovë” – shkruan Gurakuq Ukaj nga Tetova.

“Përjetime të rëndësishme po shpalosen, e gjithë bota duhet t’i shohë. Faleminderit për ekspozitën!” –  ka shkruar Arderisa Rugova nga Gjermania.

“Kurrë nuk harrohen krimet e Serbisë ndja Popullit të Kosovës. Lavdi dëshmorëve të kombit!” – ka shkruar Esat Mulliqi.

“Një përmbledhje historike, prekëse dhe e jashtëzakonshme e të filmimeve që nuk janë parë më parë. Është një paraqitje jetike e informacioneve, që shpresoj se do të ruhen e arkivohen përjetësisht. Profesionalizmi i kësaj ekspozite është përtej gjithçka. Nuk kam parë diçka të tillë më parë dhe Jeta e Gazmendi duhet të urohen. Faleminderit!” – ka shkruar Marc Perry nga Britania e Madhe.

“Kënaqësi e nostalgji, rihapja e Germisë. Kujtime të pafund fëmijërie…” – pa emër.

“Na ishte njëherë, që kurrë të mos përsëritet më. Derisa të gjenden të zhdukurit plaga mbetet e hapur…” – pa emër.

“Urime Prishtinë, dhe përshëndetje nga Brazili” – ka shkruar Eges nga Brazili.

“Mua më ka pëlqyer se mësova për historinë e Kosovës edhe fola me komandantin e NATO’s”  – Leka.

“Nga ekrani i parë e deri në atë të fundit, nr.15 e gjeta veten dhe familjen time afër 60 minutave sa qëndrova duke vizituar ekspozitën. Por mund të them lirshëm se do të vijë edhe disa herë të tjera. Derisa të shoh të gjitha videot e ekspozuara. Do t’i sjellë edhe fëmijët e mi që ta shohin tmerrin dhe përjetimet e paraardhësve të tyre, derisa u çliruam 25 vite me parë. Si person i lindur në 1983, vizita në këtë muze nuk ishte thjeshtë vizitë por rikthim në kohë dhe tmerrin. Ju lumtë organizatorëve për këtë ndërmarrje!” – ka shkruar Liridon Shala.

“Një falënderim të thellë për të gjithë gazetarët, fotoreporterët, kameramanët, dhe të gjithë ata që mundësuan që vuajtjet e popullit shqiptar të publikohen në të gjitha mediat ndërkombëtare. I falënderoj të gjithë ata që mundësuan këtë ekspozitë për dokumentimin e fakteve përmes kameramanëve” – ka shkruar Mefail Bajqinovci.

“Ekspozita e bazuar në të vërtetat dhe historinë e popullit tim. Ju lumtë për punën e bërë” – ka shkruar Edi.

“Ishte kënaqësi e veçantë për mua dhe ekipin e Policisë së Kosovës vizita në Reporting House, muzeut të luftës që u organizua nga gazetarja Jeta Xharra dhe ekipi i saj” – ka shkruar Gazmend Hoxha, drejtor i përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

“Gjatë vizitës së kësaj ekspozite, mbi të gjitha dua të përgëzoj organizatorët e saj. Mendoj se është shumë e qëlluar dhe mbi të gjitha videot dhe fotot janë dëshmi e qartë e vuajtjeve të popullit të Kosovës. Këto materiale dëshmi do të ishte mirë që institucionet tona shtetërore të arkivojnë dhe ti shfrytëzojnë si dëshmi në padi kundër shtetit të Serbisë për gjenocid që ka bërë ndaj popullit shqiptarë” – ka shkruar Isak Shabani, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe i mbijetuar i masakrës së Dubravës.

“Ne të gjithë e kemi jetuar luftën, por nuk e kemi parë të plotë atë. Kemi qenë duke luftuar për jetën. Ende kemi shumë për të parë dhe sot pamë çka duhet të njohim mirë e në detaje: krimin gjenocidal të ndodhur në zemër të Evropës” – ka shkruar Tinka Kurti.

“I mahnitur dhe tejet falënderues që keni sjellë këtë frymë artistike, të pa parë në vendin tonë! Jam thellësisht mirënjohës për këtë punë!” – Memli Krasniqi, dirigjent.

“Ekspozita Reporting House shpalos historinë e Kosovës më periudha të ndryshme dhe shumë të rënda dhe të vështira për popullin shqiptar. Sot pata rastin që t’i rikthehem sërish këtyre periudhave. Emocion i veçantë, sa aq edhe krenari, të shoh punën e madhe që është bërë përmes kësaj ekspozite. Dëshmitë mbi të kaluarën janë ato që na mbajnë të gjallë kujtesën tonë kolektive dhe ngjarjet e rezistencës për popullin tonë!” – ka shkruar Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.

“Ne kemi nevojë për lokacione. Më lejoni të them këtë, babai im vdiq në 1992 dhe unë vetëm në vitin 2004 arrita të gjej trupin e tij, në 2005 e varrosëm. Dhe vitet prej 1992 deri 2005 kanë qenë të tmerrshme, Brenda meje kishte një humnerë të zezë. Njerëzit kanë nevojë për lokacione. Kanë nevojë për varreza, për vende të tilla [muze], sepse janë të nevojshme për neve, që të shkojmë. Unë kisha një takim me kryeparlamentarin tuaj dhe i thash, ju duhet të centralizoni memorien kolektive, narrativën, historinë. Ju duhet të tregoni historinë e plotë, në formë koherente dhe me kuptim, në atë formë që të ruani identitetin tuaj. Ne jemi kush jemi, për shkak të atyre që kemi kaluar” – ka shkruar Emir Suljagic, i mbijetuari i gjenocidit të Srebrenicës dhe drejtori i Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës/Bosnjë e Hercegovinë.

Një hap kundër harresës

Muzeu “Reporting House” (“Shtëpia e Gazetarëve”) është projekt i realizuar nga BIRN në Kosovë dhe Kallxo.com, me producente Jeta Xharrën, “Paper Gallery” dhe “Prishtina Biennale”, me kurator profesorin e artit, Gazmend Ejupi. Gjithsej muzeu dokumenton mbi 30 orë video materiale, fotografi dhe vepra të artit nga 8 artistë të ndryshëm, shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Jeta Xharra, gazetare por edhe realizatore e këtij muzeu (ajo kishte punuar gjatë luftës për BBC-në) e ka marrë iniciativën për t’i digjitalizuar 30 orë materiale të mediave të huaja që kanë raportuar për Kosovën, si iniciativë kundër harresës.

“Kanë kaluar 25 vjet pas lufte dhe ka ardhur koha që të luftojmë, përveç kundër korrupsionit e padrejtësive, ta luftojmë harresën për atë që ka ndodhur në vendin tonë. E kemi hapur këtë muze modern i cili në formë shumë bashkëkohore, pa patetizëm, e shënon kontributin e popullatës civile për lirinë që Kosova e gëzon sot” – ka thënë Jeta Xharra.

Duke shënuar një çerek shekulli nga përfundimi i luftës në Kosovë, “Reporting House” i ofron publikut një pasqyrim të hollësishëm të luftës tonë europiane që përmbylli shekullin e 20-të.

Ekspozita u mundëson vizitorëve të udhëtojnë në konfliktin që po vlonte gjatë viteve 1990, nga i cili lindi lëvizja guerile e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që më vonë shpërtheu në luftë në vitet 1998-1999 dhe kulmoi me 11 javë të sulmeve ajrore të NATO-s që çuan në çlirimin e Kosovës dhe në pavarësinë e saj në vitin 2008. Ekspozita shpalos draftin e parë të kësaj historie të shkruar nga gazetarët dhe demonstron rolin qendror që e ka luajtur media krahas interpretimeve artistike të mëvonshme të kësaj historie. Publiku ftohet që ta kuptojë më tej historinë e jashtëzakonshme të Kosovës, ndërsa ekspozita është e hapur për bashkëpunim për zhvillimin e saj të mëtejshëm.

“Reporting House/Shtëpia e Gazetarëve” ndër të tjera prezanton vepra të artistëve që vijnë prej vendeve të ndryshme dhe emra të njohur nga bota e artit si Anri Sala nga Shqipëria, Adrian Paci nga Shqipëria, Goncalo Mabunda nga Mozambiku, Lala Meredith Vula nga Anglia, Zhana Kadyrova nga Ukraina, Lana Cmaijcanin nga Bosnjë dhe Hercegovina, Olafur Eliasson nga Islanda-Danimarka, Laura Imami nga Anglia dhe Besa Llugiqi e deri te artistët e rinj si Vullnet Jakupi dhe Vita Kasapolli nga Kosova.

Gazmend Ejupi, kurator i kësaj ekspozite dhe profesor i artit në Kolegjin UBT, është ideatori i kombinimiit të artit modern me gazetari, gjë që e bën kaq unike këtë ekspozitë.

“Kemi kombinuar materialet e gazetarëve, fotografitë e videot e tyre me punime të artit bashkëkohor që merret me temën e përvojës së refugjatëve dhe luftës në vendet tjera të botës – thjesht përvojën tonë lokale të rezistencës e kemi bërë përjetim më reflektive në këtë ekspozitë duke i kuruar punimet e artistëve shumë të njohur ndërkombëtar të ekspozohen në qendër të Prishtinës me një hapësirë komplet të re kulturore” – tha Ejupi.

Si pjesë e kësaj ekspozite prezantohen rreth 150 reportazhe televizive të rrjeteve televizive botërore që janë transmetuar, me xhirime ekskluzive për Kosovën ndërmjet viteve 1992 dhe 1999, nga BBC, Das Erste (TV publik gjerman), Nippon TV, NHK (TV publik japonez), RTE (TV publik irlandez), EO 2 Vandaag (TV publik holandez), Tele 5 (TV Spanjoll) dhe Frontline Television News. Këto reportazhe promovojnë punën e gazetarëve, fotografëve, operatorëve të kamerave dhe përkthyesve e producentëve lokalë që punuan në to.

Kontribuesit në këtë ekspozitë janë Jeremy Bowen, Ben Brown, Ilaz Bylykbashi, Thomas Dvorzak, Alan Chin, Donika Shahini, Paul Lowe, Max Stahl, Ridvan Slivova, David Loyn, Jehona Lushaku, Besnik Mehmeti, Nik Millard, Andrew Testa, Pal S. Refsdal, Flaka Surroi, Hazir Reka, Marija Ristiq, Fred Scott, Eliza Hoxha, Vaughan Smith, Nora Weller, Sean Whelan, Goran Tomasevic, Sami Mustafa, Alban Bujari, Linda Gusia, Eki Rrahmani, Gazmend Avdiu, Srebrenica Memorial Center, Anibar, Koha Ditore, RTK dhe Oral History Kosovo.

Pjesa më e madhe e materialit televiziv arkivor dhe artefakteve janë dhuruar nga Vaughan Smith nga Frontline News Television, që punoi në Kosovë në vitet 1998-1999.

Kontributin kryesor për transformimin e hapësirës në këtë ndërtesë e ka Komuna e Prishtinës, e cila ka investuar në infrastrukturën e muzeut ndërsa donatori kryesor i kësaj ekspozite është Ambasada Holandeze.