Ambasadori Szunyog bën thirrje të zbatohet vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka njoftuar se e ka vizituar sot Manastirin e Deçanit. Ai i ka bërë thirrje qeverisë që ta zbatoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Vizitova Manastirin e Deçanit/Visoki Decani sot. Toleranca dhe respekti i ndërsjellë janë çelësi për një shoqëri multietnike dhe demokratike. I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë aktgjykimin e GJK. Të drejtat pronësore të Manastirit duhet të respektohen”, ka shkruar ambasadori në rrjetin social “Twitter”.

Para 4 vitesh, Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Banorët e Deçanit dhe zyrtarët komunal patën zhvilluar disa protesta në vitin 2013, duke thënë se manastiri është objekt kulti i shqiptarëve e jo i serbëve.

Manastiri i Deçanit është ndër monumentet e trashëgimisë më të dalluara të kohës së tij, i ndërtuar në gjysmën e parë të shekullit të 14-të.

Ambasadorët ndërkombëtar në Kosovë i kanë bërë thirrje vazhdimisht Qeverisë së Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.