Tomas Szunyog - Ambasador i BE-së në Kosovë - 21.04.2023
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë viziton qendrën e votimit në Bërnjak
Ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka vizituar qendrën e votimit në fshatin Bërnjak të Zubin Potokut.
Aty ka monitoruar nga afër procesin e votimit “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarit të kësaj komune, Izmir Zeqiri.
Gazetari i KALLXO.com, Valon Fana, i cili po qëndron këtë komunë ka sjellë pamje në të cilat shihet ambasadori në qendrën e votimit.
Sipas gazetarit, në këtë pikë nuk ka energji elektrike, derisa po operohet me një gjenerator. Zyrtarët e kësaj qendre kanë thënë se një kabllo është prishur.
Pak pas hapjes së qendrave të votimit në Zubin Potok, është parë edhe ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq sot pritet të votohet “për” apo “kundër” shkarkimit të kryetarëve të komunave.
Nga liderë institucionalë dhe faktorë ndërkombëtarë është bërë thirrje që qytetarët të dalin për të votuar, ndërkohë që Lista Serbe ka bërë thirrje për të kundërtën. Dhe, nëse ky proces dështon, atëherë iniciativë e ngjashme nuk mund të bëhet para 12 muajsh.
Ekipet e KALLXO.com do të raportojnë në kohë reale lidhur me procesin e votimit në këto katër komuna.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në katër komunat në veri të vendit është 46 mijë e 556, apo 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e fundit të mbajtura më 23.04.2023.
Udhëzim Administrativ i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal i cili i ka hapur rrugë këtij procesi e përcakton që kryetari i komunës konsiderohet i larguar nga posti nëse 50 për qind +1 e qytetarëve në listëve e votuesve votojnë në favor të largimit të tij.
Nëse shpallet një rezultat i tillë nga KQZ-ja, atëherë presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, brenda afatit ligjor prej 30 deri në 45 ditë shpall datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Por, nëse konstatohet përfundimisht që iniciativa për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, apo ka dështuar për shkak të mosplotësimit të kushtit për votimin e 50%+1 të votuesve për largim e kryetarit nga funksioni, iniciativa tjetër me kërkesë të njëjtë, nuk mund të iniciohet para kalimit të afatit prej 12 muajsh.
Numri i Qendrave të Votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.
Në Leposaviq janë 13 mijë e 674 votues, në Zubin Potok 6 mijë e 877 votues, në Zveçan 7 mijë e 209 votues dhe në Mitrovicën e Veriut 18 mijë e 796 votues.
Në Leposaviq nga 19 Qendra të mëhershme të votimit, për procesin e shkarkimit të kryetarëve shqiptarë aktualisht është vendosur që të votohet në 8 Qendra Votimi të tjera, në Objektin Komunal- Leposaviq, në objektin komunal Soqanicë, në një objekt privat në Rëvastakë, në një objekt shtetëror në fshatin Dren, në objektin e Nsgh univerzal në Leshak, në një objekt në Kushtovë, në një objekt privat afër stacionit të autobusëve në Leposaviq dhe në shkollën fillore “Kadri Bistrica” në Bistricë.
Në Zubin Potok do të votohet në pesë Qendra Votimi në objektin e komunës, një objekt publik në Mala Jabuka, te Ura e Bubës, Bërnjak dhe në shkollën fillore “Osman Rama”.
Në Zveçan procesi i votimit do të zhvillohet në objektin komunal Shkollën Fillore të mesme të ulët “Isa Boletini” në Zhazhë dhe shkollën tjetër në Lipë, në Banjskë dhe në objektin komunal në Zhitakovc.
Në Mitrovicën e Veriut do të votohet në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Suhodoll, objektin e komunës në Lagje të Boshnjakëve, në shkollën fillore “Aziz Sylejmani” në Kodrën e Minatorëve dhe në ish- objektin komunal.