Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, Foto: KALLXO.com

Ambasadori Hovenier flet për audio-incizimet në të cilat u përfshi Mimoza Kusari-Lila

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovernier ka folur për audio-incizimin ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Në këto incizime përmendet edhe Millan Radojiçiq, i cili është i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq dhe po pashtu është në listën e zezë të ShBA-së.

Hovenier ka thënë se nuk mund të flas shumë për këtë çështje, ndërsa ka theksuar se Radojçiq është në Listën e Zezë të ShBA-së.

“Nuk kam shumë për të thënë për këtë. Mund të them vetëm se shpeshherë liderët politikë në parlament bëjnë biseda të rëndësishme me aktorë të kundërt për të arritur rezultatet. Por Radojiçiq është në listë të zezë të ShBA-së, si rezultat i gjetjes sonë se ai është i lidhur me krimin e organizuar” – ka thënë Hovenier para gazetarëve sot.

Gazeta Nacionale ka publikuar një audio-incizim, ku pretendohet që janë duke folur shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Ky audio-incizim, siç ka thënë Gazeta Nacionale, ka ndodhur në qershor të vitit të kaluar, ku deputetja Kusari-Lila ka biseduar me ish-deputetin Simiq edhe për Millan Radojiçiq, i cili është person i dyshuar për rastin e vrasjes së ish-politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.

Përpos kësaj, Radojiçiq është i dyshuar edhe në rastin Brezovica e madje edhe është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së.

Kusari-Lila ka pranuar në Debat Plus në RTV Dukagjini se në takim me Sllavko Simiqin ka biseduar përmes telefonit edhe me Millan Radojiçiqin.

“Nuk ka pasur biseda që shkojnë përtej agjendës së Kuvendit” – tha Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se e ka vënë në dijeni kryeministrin Albin Kurti për bisedën që e ka pasur me ish-deputetim e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe me Millan Radojiçiqin.

Kusari-Lila ka thënë se Kurti nuk i ka kërkuar asaj dorëheqje nga pozita e shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), parti e cila drejtohet nga Kurti.

Kusari-Lila: Para 4 muajve e njoftova Kurtin për bisedën me Radojiçiqin, nuk ka kërkuar dorëheqjen time