Ambasadori gjerman reagon për shuarjen e Ministrisë së Integrimeve dhe kritikave ndaj BE-së

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt në një adresim për marrjen e shtetit gjerman të drejtimit të Presidencës së BE-së, ka përmendur edhe shuarjen e Ministrisë së Integrimit Evropian nga ana e Qeverisë së Kosovës me kryeministër Avdullah Hotin.

Heldt ka thënë se janë duke e përcjellë nga afër qeverinë e re lidhur me vendosjen e përparësive të saj lidhur me agjendën evropiane.

“Ne jemi duke i marrë në dijeni të gjitha këto. Pas shpërbërjes së Ministrisë së Integrimeve Evropiane ne gjithashtu po shohim nga afër nëse qeveria e re do të vendosë përparësitë e saj në lidhje me agjendën evropiane në të ardhmen”, tha ambasadori.

Ai mes tjerash kritikoi zërat në Kosovë kundër BE-së dhe akuzat se “BE-ja ka vetëm fjalë dhe jo vepra”.

Heldt i quajti sulme personale ndaj atyre që janë mbështetësit më të fortë të shtetit të Kosovës.

“Këta zëra negativë duket se mendojnë se ndërsa ne mbetemi të sjellshëm dhe nuk dëshirojmë të biem në këto nivele diskutimesh dhe se jemi naivë. Epo, kjo është gabim”, theksoi Heldt.