E vërteta e shtesave për pensionet, vendimi i Qeverisë Hoti vlente vetëm për tre muaj

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti për shtesat prej 30 euro për skemen sociale dhe për pensionistët ka nxitur reagime në vend, duke e kritikuar një vendim të tillë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj, e ka cilësuar skandaloz, të papranueshëm dhe nëpërkëmbës vendimin e Qeverisë Kurti, për uljen e shtesave për pensionistët dhe mjekët e infermierët.

Ndërsa nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar anulimin e këtij vendimi.

Qeveria e udhëhequr nga Avdullah Hoti, në mbledhjen e 15 janarit të 2021 kishte marrë vendim për ndarjen e 22 milionë e 400 mijë euro si masë për zbatimin e Programit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ndërsa njëra ndër masat ka qenë edhe ndarja e mjeteve për skemen pensionale dhe sociale, duke marrë vendim për shtesa prej 30 euro për individët që përfitojnë më pak se 100 euro në muaj.

MASA 16: Mbështetje për skemat pensionale për individët që përfitojnë më pak se 100 euro në muaj në shumë 13,500,000 € (trembëdhjetë milionë e pesëqind mijë euro); Mbështetje për skemat sociale në shumë 7,500,000 € (shtatë milionë e pesëqind mijë euro)…”, thuhet në vendimin e Qeverisë Hoti.

Ish-ministrja në detyrë e Financave, Hykmete Bajrami në një konferencë për media kishte bërë të ditur se për tre muaj personat që e kanë pensionin nën 100 euro do të marrin 30 euro shtesë.

“Për pensionerët do të ketë rritje prej 30 eurosh për tre muaj. Pra, nëse një pensionist e ka 70 euro do t’i merrë 100 euro, këtë shumë prej 30 eurosh do ta marrin të gjithë pensionistët që e kanë pensionin nën 100 euro”, pati thënë Bajrami në konferencë bashkë me kryeministrin në detyrë, Avdullah Hoti.

Hekuran Murati, ministër i Financave dhe Transfereve ka sqaruar vendimin e Qeverisë së Kosovës rreth ndarjes se mjeteve financiare për skemat sociale dhe pensionale.Murati ka thënë se shtesat prej 20 eurove për pensionet janë bërë pasi që prej muajit mars e këndej, kësaj kategorie u ishin ndalur shtesat.

“Sa u përket shtesave për pensionet bazike, qeveria e kaluar në kohë fushate, kishte marrë vendim për të ndarë nga 30 euro, vetëm për tre muaj (janar, shkurt dhe mars). Dhe pas marsit e tutje, shtesat ishte paraparë të ndalen në tërësi”, ka thënë Murati.