
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Bajrami: Masa për lirim nga pagesat e semestrit ishte nisur nga Qeveria Hoti
Ish-ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë, që nga 1 tetori arsimi i lartë publik do të jetë falas.
Sipas një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se një vendim të tillë e kishte marrë edhe Qeveria Hoti.
“Masa për lirimin nga pagesa e semestrit që e bëri Qeveria Kurti ishte nisur edhe nga Qeveria e kaluar për shkak të situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 e cila fatkeqësisht sot është edhe me prezente. Sigurisht, se ne nuk jemi kundër që studentët të lirohen nga pagesa e semestrit edhe pse vendimet uniforme për të gjitha shtresat lënë shumë për të dëshiruar (e njëjta ka ndodhur me shtesat e fëmijeve)”, ka shkruar ajo.
Bajrami thotë se Qeveria e VV-së “nuk po ka kapacitete, ide dhe dije për t’u marrë me veprime të cilat e adresojnë në mënyrë të mirëfilltë reformën në arsim si dhe në fusha tjera’.
Ajo ka theksuar se Qeveria Kurti për herë të parë u ka mohuar studentëve afatin e korrikut, duke aloduar në votimin e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, të cilët janë përgjegjës për akreditimin e programeve.
“Ne mbajmë përgjegjese Qeverinë dhe pozitën (që kanë zgjedhur anëtaret e Këshillit të Cilësisë) që për herë të parë në historinë e pasluftës u ka mohuar studentëve afatin e Korrikut për aplikim në universitete publike, rrjedhimisht plot fakultete publike nuk kanë arritur t’i mbushin as gjysmën e vendeve të lira”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, kjo është bërë me qëllim që studentët të orientohen të IAL (institucionet e arsimit të lartë) privat “gjë që edhe ka ndodhur, kjo bëhet edhe më e padrejtë kur e dimë se studentët në IAL privat nuk marrin asnjë ndihmë nga shteti”.
“Gjithashtu, Qeveria është përgjegjesë pse s’po hapen shkollat dhe s’ka asnjë plan për këtë problem. Qeveria është përgjegjëse pse universiteti më i madh publik në Kosovë s’ka bord drejtues; pse një universitet tjetër publik është pa rektor etj etj”, ka thënë në fund Bajrami.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, sot ka bërë të ditur se që nga 1 tetori, arsimi i lartë publik do të jetë falas në nivelin Bachelor dhe Master.
Në universitetet publike në Kosovë, studentët e nivelit Bachelor, kanë paguar deri më tash 25 euro për semestër, përveç vitit të parë të studimeve që ka qenë falas.
Kurse, semestri për nivelin Master ka kushtuar 150 euro.