Haxhi Shala aderon në AAK

Mysafiri i mesnatës i Haxhi Shalës, akuzon deputetin e LVV-së për trafikim të votave

Ish kryeministri dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një konference për media ka akuzuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, se në emër të partisë së tij ka tentuar trafikimin e votave të deputetëve për ta votuar Vjosa Osmanin si presidente.

“Salih Zyba është një sekser klasik i cili e ka marrë përsipër në emër të partisë së vet trafikimin e votave. Kjo është e vërtetë, njerëzit janë të gjallë, nëse ai insiston e ballafaqojmë me deputetët por edhe me ata që i ka shkuar në shtëpi”, tha Haradinaj në një konferencë për media sot gjatë ditës.

“Zyba ka kontaktuar me deputetë tanë. Njëri nga deputetët tonë ka kërkuar që unë me u taku me të. Përgjigja ka qenë që ‘ju jeni sekser dhe s’takohem me ju, por jam i gatshëm të takohem me kryetarin e partisë kur ai e vlerëson, por ndalni këto praktika të presionit, presion serioz i gjithanshëm, pos joshjes”, kishte thënë tutje sot në konferencë, Ramush Haradinaj.

Këto lajme pak minuta më vonë ishin demantuar nga deputeti Zyba.

“Këto përveç që janë të pavërteta janë edhe tendencioze, jo vetëm ndaj meje por edhe ndaj grupit tonë parlamentar. Nuk është e vërtetë që kam shkuar nëpër shtëpi për t’i bindur, sepse në kohë pandemie unë nuk dal askund”, kishte thënë Zyba për KALLXO.com.

Mirëpo, në të kaluarën kishte qenë vet Haradinaj ai që publikisht e kishte pranuar se ka qenë në shtëpinë e një deputeti për ta bindur për të votuar për krijimin e qeverisë së Avdullah Hotit.

Kjo ishte konfirmuar nga të dy palët.

Haxhi Shala, në atë kohë deputet i Nismës Socialdemokrate kishte deklaruar se ai do ta votoj Qeverinë Hoti për shkak se këtë ia kishte kërkuar Ramush Haradinajn dhe Hashim Thaçin.

“Mbrëmë, me vizitën që kam pasur në familjen time të presidentit dhe ish kryeministrit Haradinaj, kam ndërruar mendjen dhe vota ime do të jetë për këtë dy persona, pro qeverisë Hoti”, kishte thënë në seancë plenare ku po votohej për Qeverinë Hoti, ish deputeti Shala.

Ndërsa pas seancës, e kishte konfirmuar edhe Haradinaj vizitën dhe kërkesën për të votuar Avdullah Hotin kryeministër.

“Unë thashë e qes votën në këtë Qeveri. Nëse me vlerëson dhe beson, a e qet edhe ti? Përgjigja e tij (Haxhi Shalës) ke, po”, ishte shprehu Haradinaj.

Pak ditë më vonë, Haxhi Shala kishte dhënë dorëheqje nga Nisma Socialdemokrate dhe kishte kaluar në partinë e Ramush Haradinajt.

Disa muaj më vonë, prej formimit të Qeverisë, djali i Haxhi Shalës ishte emëruar konsull në Ambasadën e Kosovës në Pragë me vendim të ish presidentin Hashim Thaçi.

Ndërsa, djali i Haxhi Shalës kishte deklaruar se ishte emëruar me proces të ligjshëm.

Vjosa Osmani, në atë kohë Ushtruese e Detyrës së Presidentit, e kishte shfuqizuar vendimin për emërimin e djalit të Haxhi Shalës dhe tre konsujve të tjerë.