Një vjetori i mjegullt i marrëveshjes së Uashingtonit

Sot bëhet një vit që kur Kosova dhe Serbia nënshkruan një dokument zotimesh në Uashington, me ndërmjetësim të presidentit të atëhershëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e shtyrë nga atëherë emisari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, por zbatimi i shumicës së pikave të kësaj marrëveshje ende mbetet i paqartë.

Nga kjo marrëveshje Kosova siguroi njohjen nga Izraeli, ndërsa për një vit stopoi lobimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe njohje të reja.

Në pikën e parafundit të marrëveshjes thuhet: “Prishtina do të pajtohet që ta zbatojë një moratorium njëvjeçar, për të mos kërkuar anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare. Beogradi do të pajtohet ta zbatojë një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e saj për çnjohje dhe do të përmbahet nga kërkesa zyrtare ose jozyrtare ndaj ndonjë vendi ose organizate ndërkombëtare, që të mos e njohë Kosovën (Prishtinën) si shtet të pavarur”.

Vitet paraprake, Serbia loboi për çnjohje të pavarësisë së Kosovës dhe mos anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), në të cilat Kosova ende nuk është anëtarësuar.

Kosova ende mbetet jashtë mes tjerave edhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe mekanizmave tjerë të rëndësishëm ndërkombëtar.

dokumentin e marrëveshjes parashihen edhe disa projekte infrastrukturore, përfshirë  atë që quhet “Autostrada e Paqes”, Beograd-Prishtinë, si dhe përmendet edhe çështja e Liqenit të Ujmanit, që gjendet në territorin e Kosovës dhe prekë atë të Serbisë.

“Të dyja palët do të pajtohen të punojnë me Departamentin Amerikan të Energjisë dhe subjektet e tjera të Qeverisë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të Liqenit të Gazivodës/Ujmanit, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë”, thuhet në njërën pikë të dokumentit.

Sa i përket Ujmanit, Departamenti Amerikan i Energjisë muajin e kaluar e përfundoi një studim fizibiliteti duke e parë si mundësi edhe ndarjen e liqenit.

Marrëveshja e Uashingtonit, ishte nënshkruar nga Avdullah Hoti që atëherë ishte kryeministër i Kosovës. KALLXO.com ka provuar të marrë një intervistë nga Hoti, por i njëjti pasi ka shprehur gatishmëri të jap qëndrim, më pas e ka anuluar atë.

Po ashtu KALLXO.com fillimisht i ka përcjellë pyetje ish-kryeministrit por deri në publikimin e këtij artikulli nuk pranuar përgjigje.

Në korrik të këtij viti, partia e Hotit – Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), inicioi në Kuvendin e Kosovës një rezolutë përmes së cilës kërkohej kryeministrit Albin Kurti që të zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit.

Megjithatë, Kuvendi nuk arriti që të miratojë këtë rezolutë, pasi për votuan 24 deputetë të LDK-së, ndërsa 57 deputetë të partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje abstenuan.

Avdullah Hoti tash në cilësinë e deputetit të LDK-së, kishte deklaruar se marrëveshja e Uashingtonit, “duhet parë si një hap të rëndësishëm drejt konsolidimit të shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare”.

Ndërkaq, kryeministri aktual Albin Kurti ka ripërsëritur se për të pika më e rëndësishme e marrëveshjes është njohja nga Izraeli. Kurti kishte theksuar se nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket Liqenit të Ujmanit pasi siç ka thënë ai “Ujmani ashtu siç është, është liqen artificial i Kosovës për Kosovën”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë deklaruar se presin që Kosova dhe Serbia të respektojnë detyrimet dhe zotimet e dala nga marrëveshja e 4 shtatorit.

Selimi: Marrëveshja e Uashingtonit, pozitive për Kosovën

Ish-ministri i Drejtësisë atë kohë Selim Selimi, kishte marrë pjesë në Uashington si përfaqësues i partisë në koalicionin qeverisës – Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Një vit pas, Selimi thotë për KALLXO.com se marrëveshja e Uashingtonit është një prej marrëveshjeve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës, pasi që është arritur me ndërmjetësim të ShBA-ve dhe në Shtëpinë e Bardhë.

“Garancat për këtë marrëveshje kanë qenë të nivelit të presidentit të ShBA-ve. Ajo marrëveshje është pozitive për Kosovën pasi që Kosova ka përfituar njohjen nga Izraeli. Pas kësaj marrëveshje gjithashtu është ruajtur integriteti territorial dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës. Është ruajtur Liqeni i Ujmanit i cili ka qenë i diskutueshëm në atë kohë dhe është arritur që të bëhet pika vetëm për studim fizibiliteti të liqenit”, tha ai.

Selimi ka shtuar se një prej kompromiseve që i ka bërë Kosova në këtë marrëveshje ka qenë pranimi i moratoriumit një vjeçar për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por jo edhe për njohje bilaterale.

“Ky moratorium tashmë është konsumuar dhe ajo pikë e marrëveshjes është konsumuar”, shprehet ai.

I pyetur nëse Kosova duhet të lobojë për anëtarësime pas 4 shtatorit, Selimi ka shtuar se kjo është një e drejtë e shtetit.

“Absolutisht po. Kjo është një e drejtë e jona kushtetuese dhe ligjore, sepse ne e përcaktojmë orientimin tonë euroatlantik në dokumentin bazë-Kushtetutën tonë andaj edhe aplikimi në organizata ndërkombëtare është i domosdoshëm. Kjo pikë e cila është arritur nuk i ka ndalë njohjet bilaterale por kjo qeveri aktuale nuk ka punuar fare për ndonjë njohje tjetër”, theksoi ai.

Ish-ministri ka vlerësuar se Kosova ka përfituar edhe në disa pika tjera të marrëveshjes siç është ajo për rrjetin 5G dhe programin amerikan për kontrollimin e hyrjeve-daljeve nëpër kufij.

Arritjet dhe dështimet

Njohësit e zhvillimeve politike dhe integrimeve vlerësojnë se përfitimi më i madh i Kosovës nga marrëveshja e Uashingtonit është njohja nga Izraeli.

Ata shtojnë se nuk kanë shumë informacione rreth zbatimit të pikave tjera të zotimeve që kanë marrë përsipër Kosova dhe Serbia.

Hulumtuesi i politikave në “Demokraci për zhvillim” (D4D), Visar Xhambazi, ka thënë për KALLXO.com se njohja nga Izraeli është arritja më e madhe që ka përfituar Kosova nga marrëveshja e Uashingtonit.

“E cila ndonëse nuk paraqitet në dokument, zotimi i Kosovës që të hap ambasadën në Jerusalem i parapriu këtij vendimi, e cila është njohja më përmbajtjesore e Kosovës në tre vitet e fundit”, tha ai.

Kurse, njohësja e procesit të dialogut me Serbinë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), Jeta Krasniqi thotë për KALLXO.com se informacionet lidhur me zbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit janë të mangëta.

Sipas saj, rezultat i menjëhershëm i kësaj marrëveshjeje ishte njohja nga shteti i Izraelit. Por, siç thotë ajo, “një gjë mbetet e qartë që pavarësisht kësaj marrëveshjeje, nuk duket që raportet në mes palëve – pra Kosovës dhe Serbisë – të jenë përmirësuar”.

Krasniqi vlerëson që për ta kuptuar më qartazi se cilat kanë qenë përfitimet e Kosovës nga kjo marrëveshje, Qeveria e Kosovës duhet të ofroj një bilanc një vjeçar lidhur me marrëveshjen duke bërë të ditura dhe hapat e ardhshëm që pritet prej saj.

“Ka pasur diskutime të shumta nëse Qeveria aktuale do ta zbatoj këtë marrëveshje dhe për natyrën e vet marrëveshjes meqë në thelb është një dokument i zotimeve që palët kanë marr në mënyrë unilaterale pa nënshkruar një dokument të përbashkët”, tha ajo për KALLXO.com.

Visar Xhambazi (D4D) ka shtuar se sa i përket dështimit, problemi me i madh nga marrëveshja ka qenë vendimi për moratorium një vjeçar, për mos aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Sipas tij, ky zotim ka cenuar sovranitetin e vendit.

Ndërkaq, Krasniqi thotë se ditë më parë është raportuar lidhur me një takim të përbashkët të krerëve institucional, ku një ndër pikat e takimit duket të ketë qenë dhe çështja e kalimit të afatit të moratoriumit.

“Kjo pikë e marrëveshjes është kontestuar nga Qeveria aktuale, duke u cilësuar edhe si jo kushtetuese prandaj është mëse e pritshme që tashmë dhe në përmbyllje të afatit të saj, të ketë nismë dhe hapa konkret në këtë drejtim. Kjo është mëse e drejtë pasi Kosova nuk ka pse të lidh konsolidimin e saj ndërkombëtar me raportet që ka me Serbinë”, tha ajo.

Për këtë, thotë Krasniqi, duhet një strategji proaktive e Ministrisë së Jashtme të Kosovës që të punojë në disa fronte për të thyer barrierat të cilat pa dyshim se Serbia do synoj t’i vendosë.

“Kosova duhet të synoj gjithashtu që të ndërtoj e forcoj aleancat e nevojshme për të arritur synimet qoftë në anëtarësimet në organizatat ndërkombëtare, në forcimin e raporteve bilaterale me shtete njohëse dhe jo njohëse dhe marrjen e njohjeve të reja”.

Të premten është raportuar se Departamenti i Shtetit Amerikan inkurajoi Kosovën dhe Serbinë që të vazhdojnë me moratoriumin mbi çështjet e njohjes që ndërlikojnë përparimin në fushat teknike.

Ndërsa Visar Xhambazi ka shtuar se Serbia dhe Kosova nuk kanë respektuar plotësisht zotimet e dakorduara në Uashington DC.

“Serbia nuk e ka bartur ambasadën e saj në Jerusalem, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet jashtë Mini-Schengenit Ballkanit apo Open Balkan”, theksoi ai.

Kurse, Jeta Krasniqi thotë se kjo marrëveshje nuk është e ngjashme me marrëveshjet e tjera të arritura në kuadër të procesit të dialogut, pasi në të përfshinë një sërë elementesh të cilat dhe në kohën e arritjes së të njëjtës u vlerësuan që kishin të bënin dhe me synimet e SHBA-ve në politikën e jashtme – elemente që shkonin përtej marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

“Nëse marrim vetëm disa pika, pika që ka të bëj me moratoriumin Kosova e ka zbatuar këtë pikë pasi nuk ka aplikuar në ndonjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa nga ana tjetër nuk është shumë e qartë se sa e ka respektuar të njëjtën Serbia duke qenë se lobimi jo gjithmonë bëhet në mënyrë publike, në të njëjtën kohë kemi parë dhe qasjen kritikuese ndaj shtetit të Izraelit dhe angazhimin e Serbisë për t’u mobilizuar me fushatë të çnjohjeve të shtetit të Kosovës”, shprehet ajo.

Krasniqi ka shtuar se raporti i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit i është dorëzuar shtetit të Kosovës, ndërsa thekson se mbetet për t’u parë se çfarë ka ndodhur me projektet infrastrukturore të parapara në kuadër të marrëveshjes.

Në përvjetorin e parë të marrëveshjes së Uashingtonit, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, e ka verifikuar progresin e bërë apo jo, mbi implementimin e saj.

Kosova dhe nisma e “Mini-Shengenit – Open Ballkan”

Pikë tjetër e marrëveshjes ka qenë që Kosova dhe Serbia t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, të shpallur nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor të vitit 2019 dhe do t’i shfrytëzojnë plotësisht përfitimet nga ajo.

Këtë vit, kjo nismë tashmë ndërroi emërtimin në “Open Ballkan”. Kosova nuk ka pranuar që të jetë pjesë e saj.

Institucionet e Kosovës e cilësuan si të rrezikshme këtë nismë, e cila u proklamua fuqishëm edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky i fundit dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq javë më parë bën thirrje që rajoni të mos mbetet peng i së kaluarës. Kjo ngjalli reagime të shumta në Kosovë marrë parasysh luftën e fundit dhe krimet e kryera nga forcat serbe.

Në fund të korrikut këtë vit, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e zyrtarizuan emrin e ri të një ideje që ishte proklamuar vitet e fundit si “Mini-shengeni Ballkanik”, tash në “Open Balkan”.

Zaev, Rama e Vuçiq nënshkruan disa marrëveshje, për të cilat thanë se kanë në fokus zhvillimin ekonomik dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Duke folur për këtë nismë, Visar Xhambazi (D4D) vlerëson se Kosova duhet të ketë shumë kujdes kur merr përsipër obligime ndërkombëtare, qofshin ato juridike apo politike.

“Veçanërisht në këtë rast specifik, ku bëhet fjalë për një shtet si Shtetet e Bashkuara i cili ka mbështetur vazhdimisht konsolidimin institucional e demokratik të Kosovës”, shtoi ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi thotë se ka qenë e ditur që pala kosovare, nën drejtimin e Qeverisë aktuale nuk do të jetë pjesë e kësaj nisme.

“Qëndrim ky i artikuluar nga Vetëvendosje dhe që në momentin e arritjes së marrëveshjes e cila e ka cilësuar anëtarësimin e Kosovës në këtë nismë si të dëmshme. Kosova është pjesë e procesit të Berlinit, mbetet e përkushtuar në bashkëpunim rajonal por çështja me pjesëmarrjen në këtë nismë s’ka të bëj me aspekt ekonomik por atë politik”, theksoi ajo për KALLXO.com.

Sipas Krasniqit, problemet në mes Kosovës dhe Serbisë janë të natyrës puro politike, të mosgatishmërisë së Serbisë për të njohur shtetin e Kosovës dhe insistimin e saj për të bojkotuar dhe penguar Kosovën në çdo hap drejtë konsolidimit të brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

“Prandaj është mëse e nevojshme që Kosova të insistoj që pjesëmarrja e saj në nisma të ndryshme të mos cenoj shtetësinë e saj, por përkundrazi ta forcoj atë dhe më shumë”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas Forumit Strategjik të mbajtur në Bled të Sllovenisë, se është i shqetësuar për faktin se Kosova po ndërmerr një aksion të ri lobimi për njohje, si dhe pranim në organizatat ndërkombëtare, raportojnë mediat në Serbi.

“Unë jam i shqetësuar për faktin, dhe ne morëm informacion, jo nga Miroslav Lajçak, por nga burime të inteligjencës, se Prishtina do të ndalojë plotësisht zbatimin e mëtejshëm të marrëveshjes së Washingtonit nga 4 shtatori”, u tha Vuçiq gazetarëve në paraqitjen e tij para mediave gjatë mbajtjes së Forumit Strategjik në Bled.

Siç citojnë mediat në Serbi, Vuçiq citohet të ketë thënë se Kosova po fillon një aksion të ri lobimi për njohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme, si dhe me kërkesat për t’u pranuar në organizatat ndërkombëtare nga Interpoli në UNESCO.

Një vjetori i marrëveshjes së Uashingtonit e gjen Kosovën dhe Serbinë në përpjekje për t’u marrë vesh në kuadër të dialogu, pas disa takimeve jo të lehta mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nga të cilat ata nuk u darkoduan për asgjë, përveçse të vazhdojnë bisedimet.

Kurti e Vuçiq pritet të mbajnë një takim të radhës në shtator, ndërsa agjenda e bisedimeve nuk dihet ende.

Disa prej temave më të nxehta diskutimi në takimet pararendëse, kanë qenë Asociacioni i Komunave me shumicë serbe si kërkesë e palës serbe, dhe kërkesa për zbardhjen e fatit të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, kusht i palës kosovare.