Foto: CNBC

Ambasada në Francë, paguan 13 mijë euro borxh të mbledhur për banimin e diplomatit

Ambasada e Kosovës në Francë, ka pranuar se kanë ndodhur vonesa disa mujore për pagesën e banesës për njërin nga diplomatët, i cili në këtë vend kishte qëndruar nga viti 2010 deri në gusht të vitit 2020.

Në një nga televizionet franceze, një grua kishte raportuar se Ambasada e Kosovës në Francë nuk e kishte kryer obligimin e saj për pagesën e qirasë.

Në një përgjigje për KALLLXO.com, Ambasada e Kosovës në Francë ka sqaruar se kanë kryer pagesën prej 13 mijë eurove, ani pse përgjegjës për pagesat e qirave është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Me të marrë vesh Ambasada, ajo ka reaguar menjëherë dhe pasi ka marrë leje urgjente nga Prishtina, pronares i është transferuar brenda ditës shuma në fjalë (rreth 13 mijë eurove). Për shkak që transferet janë ndërkombëtare dhe për shkak të pandemisë, situata është jo e zakonshme, andaj jemi obliguar të reagojmë në Paris, edhe pse përgjegjësia është në Prishtinë”, thuhet në përgjigje.

KALLXO.com, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës, por nuk ka pranuar përgjigje.

Duke ju referuar intervistës së shtetases franceze, e cila në një emision tregon se nuk i ka marrë pagesat e qirasë për banesën e saj, Ambasada ka theksuar se ata kanë reaguar në shpejtësi për të kryer pagesën për të mos e dëmtuar imazhin.

“Duke qenë se vonesa ka ndodhur në Prishtinë dhe duke qenë se pagesa ka qenë në procedim, edhe pronarja sikurse udhëheqësit e emisionit, janë kontaktuar dhe janë befasuar me reagimin e shpejtë të Ambasadës së Kosovës në Paris”, thuhet tutje aty.

“Për të shprehur keqardhje për ketë rast, Ambasada e ka ftuar pronaren për vizitë në Kosovë. Pas emisionit fillestar të javës që shkoi, të hënën në mëngjes, në të njëjtin emision ku është folur për qiranë, kanë treguar se pagesa është kryer”, thuhet tutje në përgjigje.

Ambasada ka përcjellë edhe videon e emisionit në të cilin shtetasja franceze njofton se ka marrë pagesën për qiranë e saj.