Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ZKA: Disa misione diplomatike dhe konsullore tejkaluan shpenzimet, nuk i arsyetuan me fatura

Disa misione diplomatike dhe konsullore të Kosovës kanë pasur tejkalim të shpenzimeve të lejuara gjatë vitit 2022 dhe nuk kanë dhënë arsyetim përse e kanë bërë atë.

Kjo është konfirmuar nga Zyra Kombëtare të Auditimit pwr raportin e auditimit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ) e cila drejtohet nga Donika Gërvalla.

Sipas Auditorit, tejkalimi i limitit për dreka zyrtare në Misione Diplomatike /Konsullore mund të bëhen vetëm me aprovim nga Sekretari i Përgjithshëm, mirëpo kjo nuk kishte ndodhur në disa raste.

“Nga regjistrimi i shpenzimeve të Konsullatës së Mynhenit në SIMFK identifikuam se mungonin informatat për shpenzimin e akomodimit në vlerë prej 530€. Ambasada e Kosovës në Paris kishte tejkalim të limitit për dreka zyrtare për një muaj pa aprovim nga Sekretari i Përgjithshëm. Gjithashtu, në raportin mujor financiar kërkohet që të jepet një përshkrim i shkurtër për secilën drekë apo darkë zyrtare, në asnjë raport nuk ishte dhënë asnjë përshkrim në lidhje me këto shpenzime” – thuhet në raportin e auditorit.

Auditori po ashtu kishte gjetur se konsullata në Frankfurt shpenzimin në vlerë 446€ e kishte arsyetuar vetëm me një shkresë të konsullatës ku theksohet se shpenzimet janë për material higjenik por nuk kishte ofruar ndonjë faturë apo kupon fiskal.

“Kjo kishte ndodhur për shkak të kontrolleve jo të mira të konsullatave dhe Ministrisë” – thuhet në raport.

Sipas Auditorit, kontrollet jo efektive në menaxhimin e shpenzimeve ndikojnë në tejkalime dhe mundësinë që të ndodhin mbishpenzime për shkak të perceptimit të mungesës së kufizimeve dhe sanksioneve.

Auditori ka rekomanduar ministren Donika Gërvalla të shtoj nivelin e kontrollit mbi menaxhimin e shpenzimeve për të racionalizuar ato.

“Në rastet kur ka tejkalime të pa arsyetuara duhet të të ndërmerren veprime për kthimin e mjeteve në buxhetin e Ministrisë”- thuhet në raport.

Më këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë pajtuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).