Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), Foto: KALLXO.com

ZKA rekomandon Ministrinë e Punëve të Jashtme të jetë transparente ndaj kërkesave për qasje në dokumente publike

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin për vitin 2022 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ) ka përmendur mungesën e transparencës në këtë ministri.

ZKA ka përmendur rastin kur MPJD ishte dënuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi për shkak që nuk kishte ofruar qasje në faturat për burrin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Prindon Sadriun.

Sipas ZKA-së Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) i kishte shqiptuar gjobë MPJD-së në vlerë 3,000€ për heshtje ndaj kërkesës për qasje në dokumente dhe 10,000€ për pamundësinë e realizimit të të drejtës për qasje në dokumente publike.

“Mundësia e pagesës ishte që nëse bëhet brenda 15 ditëve të paguhet gjysma apo 50% e shumës së paraparë për kundërvajtjen e kryer. MPJD me datë 08.08.2022 kishte kryer pagesën në vlerë prej 6,500€. MPJD me gjithë paralajmërimin e AIP që kishte nuk ka ofruar ndonjë arsyetim të shkruar për heshtje dhe refuzim të kërkesës”-  thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së mungesa e transparencës ka ndikuar që Ministria të jetë subjekt i padive nga AIP, duke shkaktuar shpenzime të paplanifikuara.

ZKA ka rekomanduar ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla të siguroj qasje në dokumente publike që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike duke qenë transparent, në mënyrë që të shmangen kostot nga shqiptimi i gjobave nga institucionet kompetente.

Më këtë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë pajtuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Për këtë gjobë ndaj ministrisë së saj, ishte deklaruar edhe vet kryediplomatja Gërvalla e cila kishte thënë se nuk është fjala për mostransparencë, por që sipas saj ministria në sistemin nuk ka shifra për shpenzimet individuale të diplomatëve, por vetëm për shpenzimet e misionit në tërësi.

“Mund të ju them vetëm se kemi pasur kërkesë për shpenzime individuale për një diplomat të caktuar. MPJD-ja në sistem shpenzimet e misioneve nuk i ka të ndara individualisht. Nuk kemi kapacitete sa i përket personelit momentalisht, prandaj reforma në këtë institucion është shumë e nevojshme për t’i ndarë shpenzimet veç e veç”- pati deklaruar Gërvalla.

https://kallxo.com/lajm/gervalla-deklarohet-per-gjoben-prej-13-mije-euro-nga-aip-ndaj-mpjd-se/