ZKA: MPJD nuk menaxhoi mirë donacionin mbi 6 mijë euro për mësimin plotësues në Gjermani

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka gjetur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) nuk e ka menaxhuar mirë një donacion për mësimin plotësues të gjuhës amtare në Gjermani, ku ishin tërhequr mbi 6 mijë euro e nuk ishte ofruar dëshmi se këto fonde iu janë shpërndarë mësimdhënësve.

Në raportin e auditimit për vitin 2022, ZKA ka sqaruar se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Baden – Württemberg’ut – Gjermani çdo vit jep donacion për mësimdhënësit e mësimit plotësues të gjuhës amtare, fond të cilin e shpërndan kryesisht përmes misioneve konsullore të shteteve përkatëse.

“Nga regjistrimi i shpenzimit të donacionit në SIMFK në vlerë 29,149€ me datë 20.06.2022, identifikuam se shuma prej 6,972€ ishte tërhequr kesh nga banka në emër të mësimdhënësve, por nuk kishte dëshmi se mjetet iu janë shpërndarë mësimdhënësve”- thuhet në raportin e auditorit.

Tutje sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur për shkak të menaxhimit jo adekuat nga shefi i misionit dhe mungesës së kontrolleve të brendshme nga ana e MPJD-së.

“Mungesa e dëshmive për shpërndarjen e mjeteve te personeli arsimor rrezikon që një numër i mësimdhënësve të mos përfitojnë nga ky donacion. Po ashtu, menaxhimi jo i mirë i donacionit mund të ndikoj në aktivitetet arsimore duke reflektuar në mos arritjen e qëllimit për të cilin është dhënë ky donacion”- thuhet në raport.

Tutje ZKA ka rekomanduar se ministrja Donika Gërvalla të sigurojë se janë identifikuar të gjitha rastet e tilla lidhur me mbështetjen financiare të mësimdhënësve dhe për mjete të cilat nuk janë pranuar nga mësimdhënësit të ndërmerren veprime për kthimin e tyre dhe të shpërndahen tek mësimdhënësit.

Më këtë gjetke të Zyrës Kombëtare të Auditimit janë pajtuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).