Foto: Ambasada e Kosovës në SHBA

Ambasada e Kosovës në SHBA feston 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, merr pjesë Esocobar

Ambasada e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka organizuar një festë për të shënuar 16 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Sipas njoftimit, në këtë organizim ka marrë pjesë edhe emisari i Qeverisë amerikane për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndërsa, si bashkëpritës i mysafirëve ka qenë edhe kongresisti amerikan, Ritchie Torres.

“Një nder i madh për Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të festojë 16-vjetorin e Pavarësisë, në Bibliotekën ikonike të Kongresit përkrah shumë miqve. I jemi mirënjohës Përfaqësuesit Ritchie Torres që u bashkua me mirësjellje si bashkëpritës i këtij takimi dhe shumë anëtarëve të nderuar të Kongresit të SHBA që festuan së bashku Ditën e Pavarësisë. Falënderojmë DAS Escobar për praninë dhe vërejtjet e tij në emër të Qeverisë së SHBA”- thuhet në njoftim.

Ditëve të fundit, Kosova po përballet me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në, shkaku i refuzimit të kërkesës për moszbatim të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila nuk e lejon asnjë valutë tjetër pos Euros, që të përdoret si mjet pagese.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit së voni tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti vazhdon të jetë i bindur se partneriteti me SHBA-të nuk është vënë në rrezik.

A po e vë dinari në pikëpyetje partneritetin Kosovë- SHBA?