Sveçla: Rreth 400 ekstremistë po trajnohen në Serbi afër kufirit me Kosovën

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se janë rreth 400 “ekstremistë”, të cilët janë duke u trajnuar afër kufijve të Kosovës me Serbinë.

Ai këtë deklaratë e dha në një intervistë për median në Shqipëri “News 24″.

Ministri tha se Kosova është duke u përgatitur, fillimisht siç tha ai të parandalojnë çfarë do lloj sulmi, por duke mos e përjashtuar mundësinë e ballafaqimit.

“Momentalisht janë diku rreth 350-400 ekstremistë të cilët janë duke vazhduar trajnimet në zonat përreth kufirit me Kosovën, për të qenë të gatshëm që në një urdhër të Vuçiqit të riaktivizohen me veprime agresive në Kosovë. Patjetër këto grupe janë aktive, herë më shumë e herë më pak, herë duke u trajnuar ushtarakisht e herë duke vepruar si banda kriminale, të kyçura në kontrabanda të ndryshme” – tha ai.

“Ne po përcjellim, po përgatitemi edhe ne që së pari të parandalojmë çfarëdo lloj skenari por pastaj edhe të ballafaqohemi drejt fuqishëm dhe suksesshëm ndaj çfarëdo lloj veprimtarie e cila cenon Republikën e Kosovës” – tha Sveçla për News 24

Tutje, Sveçla duke folur për rregulloren e BQK-së për dinarin, tha se është vendim normal në një vend “që synon të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s”.

“Jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe po ashtu duhet të jemi shtet normal. Nuk aspirojmë asgjë më shumë se sa të jemi një vend demokratik, ku rendi dhe ligji sundon ku është i drejt dhe i barabartë për të gjithë pa asnjë farë dallimi. Qoftë vendimi për dinarin, qoftë vendimet e mëhershme qoftë për targat qoftë për pagesën e energjisë elektrike, janë vendime më se normale të një vendi i cili aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe pjesë e NATO-s”, – tha tutje ai.

Duke folur për marrëdhëniet e kryeministrit Albin Kurti dhe atij Edi Rama, tha se kanë pikëpamje të ndryshme, por vullneti i të dyve është që të shtyjnë përpara agjendat.

“Po ka dallime në pikëpamje, në vlerësime mes dy kryeministrave, ka dallime edhe në mes të pjesëtareve të të njëjtit ekip por mendoj se ka një vullnet të të dy qeverive edhe të dy kryeministrave për të bashkëpunuar për të shtyrë përpara çështjet e tona”, shtoi tutje Sveçla.

Ndryshe, kryeministri Kurti më 21.03.2024, ka publikuar pamje të ushtrisë së Serbisë afër kufirit me Kosovën.

Ai kishte publikuar një video ku shihen disa persona në uniformë.

Kurti tha se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Më 24.09.2023 në Banjskë të Zveçanit një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese.

Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë, një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm.

Gjatë kundërsulmit nga Policia e Kosovës ishin vrarë së paku 3 pjesëtarë të grupit të udhëhequr nga Millan Radoiçiq, disa ishin arrestuar e shumica kishin ikur në drejtim të territorit të Serbisë.

Autoritetet e Kosovës grupin dhe veprimet e tij i kanë cilësuar si terroriste.

Që nga 24 shtatori dhe në ditët në vijim, forcat e Policisë së Kosovës kanë gjetur në Banjskë dhe në zonën përreth sasi të madhe të armatimit luftarak dhe dëshmi që grupi ishte mbështetur nga shteti serb.

Sulmin e grupit ndaj Policisë së Kosovës e kanë dënuar shumë shtete e organizata ndërkombëtare, disa prej të cilëve e kanë cilësuar si terrorist.

Aktualisht, Millan Radoiçiq gjendet në Serbi. Ai kërkohet nga INTERPOL-i.