Liburn Aliu dhe Lulzim Hetemi

Aliu e falënderon Hetemin për 'qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës'

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu pas takimit që pati mëngjesin e sotëm me kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemi pati edhe një falënderim për këtë të fundit.

“E falënderoj kryetarin Lulzim Hetemi nga zemra për qëndresën e tij shembullore për Republikën e Kosovës” – ka thënë Aliu.

Deri tek objekti komunal në Leposaviq, Aliu duke hyrë e duke dal u shoqërua nga pjestarët e Policisë së Kosovës.

Gjatë largimit të tij nga kjo ndërtesë, vetura e tij u gjuajt me ngjyrë, përderisa nuk është raportuar për ndonjë incident tjetër.

Burime të KALLXO.com bëjnë me dije se sapo u mor vesh për këtë vizitë protestuesit serb filluan që të shtohen para objektit të komunës.

Në anën tjetër, përpos falënderimit që Aliu pati për kryetarin e Leposaviqit, ai pati një falënderim edhe Policinë e Kosovës për, siç tha ai, disiplinën dhe profesionalizmin e pashembullt që po e tregojnë për çdo ditë.

Aliu shtoi se me kryetarin biseduan për bashkëpunimin e ndërsjellë në realizimin e projekteve.

Për këto projekte Aliu tha se do të kontribuojnë në zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët, respektivisht për projekte infrastrukturore në komunë dhe se për të njëjtat projekte i ofruan mbështetje të parezervë.

Pas vizitës së Aliut në Leposaviq, në Prishtinë kryeministri Albin Kurti pati një konferencë për media, në të cilat prapë u përmend mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Kurti tha se iu ka propozuar përfaqësuesve të BE-së dhe ambasadorëve të QUINT- it një listë me pesë pika për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Pika e katërt e propozuar nga ana e shefit të ekzekutivit është që “Qeveria do të koordinohet me të gjithë aktorët për shpallje të zgjedhjeve”.

Edhe para tri ditëve Aliu kishte tentuar që të vizitonte kryetarin Hetemi, mirëpo më pas pati raportime në disa media se ai nuk është lejuar nga KFOR-i që të kryej këtë takim.

Këto raportime ishin mohuar nga ministri.

Sipas tij, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangeshin tensionet.

“Përkundrazi, KFOR-i na kanë ofruar siguri, me një njësit të tyre që e kanë dërguar pikërisht për këtë qëllim. Në fakt, ka qenë udhëzimi i Policisë së Kosovës që mos të vazhdojmë më tutje, me qëllim që të shmangim tensionimin e situatës nga bandat kriminale që silleshin përreth”- kishte shkruar ai në Facebook.

Liburn Aliu dhe Lulzim Hetemi