Diplomimi i pjesëtarëve të rinj të NJSO-së. Foto: Policia e Kosovës

Akuzat e Listës Serbe për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok, reagon Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndjekur të gjithë hapat e duhur procedural e ligjor për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok, për të cilin kanë filluar punimet sot.

Përmes një komunikate për media, policia ka renditur në mënyrë kronologjike hapat që ka ndërmarrë që nga viti 2018.

Sipas policisë këta janë hapat që ka ndërmarrë:

  • Vendimi përfundimtar i shpronësimit nr. 05/28 , datë 05.02.2018, – pronë shoqërore,
  • Lëshimi i kushteve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit KK Zubin Potok dt. 03.12.2020,
  • Më 11.05.2022 – pranimi i njoftimit nga komuna Zubin Potok për plotësim të dokumentacionit për regjistrim të pronës në emër të Policisë së Kosovës, komfor vendimit të Qeverisë si dhe pëlqimi për qasje në rrugë,
  • Certifikata e pronësisë P- 72908055-01305-0
  • Pas bartjes së pronës në emër të PK-së, është lëshuar edhe Vendimi për qasje në rrugë dt. 19.08.2022 nr. 112/2022,
  • Me datë 23.10.023 PK-ja është pajisur me Leje ndërtimore, për ndërtimin e objektit sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit të nënshkruar me datë 10.12.2021 mes PK-së dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil për projektin.

Siç thotë policia, stacioni policor aktual është i vendosur në një objekt privat, me qira dhe i cili objekt nuk plotëson kushtet për ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe për punë të zyrtarëve policorë të rendit.

Partia Lista Serbe sot ka thënë se informacioni për ekzistimin e ndonjë vendimi të vitit 2018 për ndërtimin e një stacioni është i rremë, sepse sipas saj një vendim i tillë nuk është dorëzuar asnjëherë në pushtetin lokal dhe as nuk është kërkuar pëlqimi apo leja e duhur nga udhëheqja e atëhershme për ndërtimin e një objekti të tillë.

Policia e Kosovës ka shtuar se stacioni policor që po ndërtohet dhe zyrtarët policorë që do të punojnë aty, do t’i shërbejnë tërë komunitetit që jeton në atë zonë dhe nuk ka të bëjë me qëllime tjera siç spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe.

Lista Serbe për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok: Synim për përshkallëzim