Stacioni policor në Zubin Potok, Foto:KALLXO.com

Lista Serbe për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok: Synim për përshkallëzim

Lista Serbe ka reaguar ndaj nisjes së ndërtimit të stacionit policor në Zubin Potok, duke e quajtur këtë presion institucional të Prishtinës ndaj popullit serb dhe synim për krijim të tensioneve e përshkallëzimit të situatës në veri.

Punimet për ndërtimin e stacionit policor në Zubin Potok kanë filluar sot. Deri më tani policia atje ka punuar në një shtëpi të marrë me qira.

“Njoftimi për ndërtimin e një stacioni policor pranë shkollës fillore dhe kopshtit në Zubin Potok, së bashku me konfiskimin e paligjshëm të tokës nga institucionet arsimore, për akomodimin e policisë njëkombëshe Kurti, të cilën serbët nuk e përjetojnë si pjesë e komunitetit, ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët në veri të Kosovë, e veçanërisht në komunën e Zubin Potokut, dhe është shembull i presionit institucional të Prishtinës ndaj popullit serb” – shkruan LS në Facebook.

Partia më e madhe serbe në Kosovë shton se ky është injorim i thirrjeve të ndërkombëtarëve për shtensionim dhe zbatim të marrëveshjes për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Kujtojmë opinionin se regjimi i Kurtit po publikon informacione të rreme për ekzistimin e ndonjë vendimi të vitit 2018 për ndërtimin e një stacioni, sepse një vendim i tillë nuk është dorëzuar asnjëherë në pushtetin lokal dhe as nuk është kërkuar pëlqimi apo leja e duhur nga udhëheqja e atëhershme për ndërtimin e një objekti të tillë” – vazhdon më tej njoftimi i LS.

Lista Serbe ka hedhur edhe akuza ndaj policisë duke thënë se ata kanë ushtruar shtypje dhe dhunë ndaj qytetarëve të Zubin Potokut.

Kjo parti ka kërkuar nga ndërkombëtarët që ta parandalojnë përshkallëzimin e situatës duke thënë se “veriu i Kosovës me ndërtimin e bazave parapolicore nga Prishtina, gjithnjë e më shumë i ngjan burgut të hapur apo Koresë së Veriut, sesa fshatrave dhe qyteteve evropiane”.

Ajo ka kërkuar edhe reagim nga EULEX-it dhe KFOR.

Nis ndërtimi i stacionit policor në Zubin Potok