Aktakuzë ndaj 23 zyrtarëve policor për marrje ryshfeti e keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 23 zyrtarëve policor të stacionit policor për mbikqyrjen e kufirit “Qafë Morinë”.

Sipas prokurorisë të njëjtit kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës pa bërë verifikimet e tyre dhe pa i kontrolluar në rast se plotësohen kushtet ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre nga pikat kufitare.

Për këto “favore”, të pandehurit akuzohen se kanë marrë ryshfet nga qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës për kalimin e pikave kufitare.

Kështu aktakuza është ngritur në drejtim të veprës penale marrje e ryshfetit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër njëzet e tre  (23) zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit ‘’Qafë  Morinë’’, në kuadër të Drejtorisë  Rajonale të Policisë Kufitare, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e kanë kryer veprën penale ‘’Marrja e ryshfetit’’ e sanksionuar me nenin 421 të Kodit Penal dhe ‘’Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtarë’’ e sanksionuar me nenin 414 të Kodit Penal”- thuhet në njoftim.

“Prokuroria Speciale njofton se të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë kanë marrë nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, me rastin e kalimit në pikat kufitare ‘’Qafë  Morinë’’, me ç ‘rast kanë lejuar hyrjen e personave në territorin e Kosovës, pa i verifikuar dhe pa i kontrolluar nëse i plotësojnë kushtet ligjore për hyrje dhe dalje nga territori i Republikës së Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi”- thuhet në njoftimin e plotë të Prokurorisë.