Oficeri i shërbimit korrektues dënohet për marrje ryshfeti

Mentor Avdylaj është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 vjet burgim dhe me 1 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti në shumën prej 2 mijë euro në cilësinë e oficerit korrektues në zyrën për lirim me kusht.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast u bë më 18.03.2024 në Gjykatën e Prishtinës nga trupi gjykues i kryesuar nga Fatime Dermake dhe anëtarët Naser Foniqi dhe Ertan Sejfulla nga Departamenti i Krimeve të Rënda.

Avdylajt iu shqiptua edhe dënimi plotësues me ç’rast atij i ndalohet ushtrimi i funksionit publik në administratë publike për 3 vite pas mbajtjes së dënimit me burg.

I njëjti po ashtu urdhërohet t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar në shumë prej 2 mijë euro palës së dëmtuar, Bajram Hotit.

Mentor Avdylaj akuzohet për marrje ryshfeti në cilësinë e oficerit të shërbimit korrektues në zyrën për lirim me kusht në qendrën e shërbimit në Dubravë, me datë 12.03.2018.

Kështu, aktakuza thotë me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror ai ka kërkuar dhe pranuar ryshfet përmes Astrit Lajqit nga i dëmtuari Bajram Hoti, në një pompë të derivateve në Pejë.

Kjo, sipas dosjes, me qëllim të lirimit të parakohshëm nga burgu të Shpejtim Hotit, i cili po vuante dënimin në burgun e Dubravës.