Aktakuza ndaj të dyshuarës për vrasjen e kunatës në Dragash

Prokuroria e Prizrenit ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurës N.A., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se e njëjta ka kryer veprën penale vrasja e rëndë.

Sipas aktakuzës, e pandehura N.A., me dashje ka privuar nga jeta anëtarin e familjes – motrën e bashkëshortit me të cilën ka jetuar në ekonomi të përbashkët familjare.

Sipas Prokurorisë më datë 23 dhjetor 2022, rreth orës 10:00, e mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës S.D., e cila ishte e shtrirë në dhomën e katit të dytë të shtëpisë së të pandehurës N.A., në fshatin Kuk – Komuna e Dragashit, me një dru të ahut, me një pjesë të laminatit dhe me një copë dërrase të llamperisë, e godet disa herë viktimën në të gjitha pjesët e trupit dhe së fundi e godet në pjesën e majtë të fytyrës.

Me këto veprime i është shkaktuar gjakderdhje në tru, dhe si pasojë e këtij lëndimi, me datë 26 dhjetor 2022,  rreth orës 05:30 viktima S.D., vdes.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit.

N.A. po dyshohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë.

KALLXO.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast.

E dyshuara ka pranuar para Policisë se e ka goditur për vdekje kunatën 67-vjeçare.

N.A. i është vazhduar edhe masa e paraburgimit.

Raportimet e KALLXO.com mund t’i gjeni në këtë LINK