Vrasja në Dragash, Policia: E dyshuara e pranon se e ka goditur kunatën me mjete të forta

E dyshuara N.A. nga fshati Kuk i Dragashit e ka pranuar para Policisë se e ka goditur për vdekje kunatën 67 – vjeçare.

Për KALLXO.com lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, toger Shaqir Bytyqi.

Togeri Bytyqi ka thënë se pas ballafaqimit me prova e dyshuara N.A. ka pranuar se e ka goditur me mjete  të cilat më pas i ka fshehur.

“Lidhur me rastin në fjalë, pas kryerjes së ekzaminimit mjekoligjor të trupit të pajetë të viktimës nga IML, policia ka vazhduar hetimet. Është riintervistuar kunata e viktimës në cilësinë e të dyshuarës, e cila pas ballafaqimit me prova të reja e ka pranuar se ka kryer vrasjen dhe mjetet me të cilat e ka kryer vrasjen i ka fshehur”-ka konfirmuar Bytyqi.

Policia tutje ka bërë të ditur se po ashtu janë sekuestruar dëshmi te reja.

E dyshuara e moshës 64-vjeçare me urdhër të prokurorit ndalohet për 48 orë.

Rasti rikualifikohet në – vrasje e rëndë.