Aksioni në ‘Mobile shop'-e në Prishtinë, mbyllet një dyqan, një bllombohet, sekuestrohen mbi 100 telefona të mençur

Hetues të Policisë së Kosovës dhe Inspektorati i Tregut kanë kryer sot kontrolle nëpër lokale ku shiten telefona mobilë në Prishtinë.

Sipas njoftimit të Policisë, në këtë aksion janë kontrolluar 31 dyqane.

Ndërsa, janë sekuestruar 118 telefona të mençur, tre tabletë, dhe 11 airpods.

Po ashtu, Policia ka njoftuar se një lokal është mbyllur dhe një tjetër është bllombuar nga Inspektorati.

“Një lokal është mbyllur nga Inspektorati në mungesë të dokumentacioneve (biznes i paregjistruar) dhe një lokal është bllombuar nga Inspektorati, pasi që ka qenë i mbyllur dhe nuk është hapur deri në përfundim të operacionit”- thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se mbi bazën e këtyre veprimeve është krijuar dyshimi se të dyshuarit (pronarët e bizneseve të kontrolluara), dyshohet se kanë kryer veprat penale – shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore, – kontrabandimi i mallrave,  dhe – shmangia nga tatimi.

Në njoftim thuhet se në këtë plan operativ kanë qenë të angazhuar dhjetëra hetues policorë nga krimet ekonomike të PK-së dhe inspektorë nga MINT.