Aksidenti me fatalitet në Llapashticë të Podujevës, ngritet aktakuzë ndaj një personi

Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj personit që dyshohet se shkaktoi aksidentin me fatalitet në fshatin Llapashticë të Podujevës.

Aktakuza është ngritur më 27.02.2024, ndërsa Prokuroria ka theksuar në komunikatë për media se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj personit në fjalë për shkak të veprës penale “Rrezikimi i trafikut publik”, paraparë me Kodin Penal.

Sipas aktakuzës, thuhet në komunikatë, më 19.12. 2023, rreth orës 20:00, në rrugën “Qëndresa” në Podujevë, i pandehuri i lartcekur shkakton aksident trafiku me pasojë vdekjeje për tani të ndjerin A.K., si dhe lëndime të rënda trupore të dëmtuarit N.K..

Aty përshkruhet se derisa i pandehuri ishte duke drejtuar automjetin e tipit “Daimler Cryesles E220” me targa vendore, në rrugën e lartcekur në drejtim të fshatit Llapashticë e Poshtme, në  Podujevë, duke qenë i vetëdijshëm se me drejtim të kundërligjshëm të mjetit të tij mund të sjellë në rrezik jetën e ndokujt ose pasurinë, në vëllim të madh dhe me vetëdije e ka lejuar ardhjen e pasojës, duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës dhe shpejtësinë e lejuar.

Sipasoje e kësaj ngasjese pretendohet se drejtuesi tashmë i akuzuari humbë kontrollin dhe kalon në shiritin që shërben për lëvizje në krahun e kundërt dhe me pjesën e parë ballore të anës së majtë të automjetit të tij e goditë automjetin tjetër me targa vendore, të cilin e drejtonte tanimë i ndjeri. 

Sipas prokurorisë nga forca e madhe e goditjes automjeti i të ndjerit kthehet mbrapa në drejtim të kundërt dhe përfundon jashtë rruge, me ç ‘rast lëndime vdekjeprurëse pëson tani më i ndjeri, i cili ndërron jetë në vendin e ngjarjes ndërsa lëndime të rënda trupore pëson i dëmtuari dhe një pasagjer në veturë me të pandehurin.

Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cilat i vihet në barrë, si dhe t’i shqiptohet dënimi plotësues i ndalimit të drejtimit të automjetit, përfundon komunikata.