Shkolla 'Kajtaz Ramadani', Kijevë
AIP ndalon përdorimin e kamerave në një shkollë të Malishevës, konstatoi shkelje në monitorimin e tyre
Më 24.12.2024 KALLXO.com kishte raportuar për kamerat e sigurisë të Shkollës fillore të mesme të ulët “Kajtaz Ramadani” në fshatin Stapanicë të Malishevës, për të cilat mësimdhënësja e kësaj shkolle, Minire Avdija, pretendonte se incizonin edhe zërin. Sipas saj, pamjet e kamerave i mban në telefonin e tij personal sekretari i shkollës, Baki Toplana.
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) pasi kishte pranuar ankesën më 13.12.2024, brenda afateve ligjore filloi procedurat e inspektimit me qëllim që të vërtetoheshin pretendimet e palës ankuese.
Më 31.01.2025, Agjencia për Informim dhe Privatësi lidhur më këtë ka nxjerrë një vendim me të cilin ka urdhëruar Shkollën “Kajtaz Ramadani” të ndalë vëzhgimin me kamera. Sipas vendimit, kamerat mund të vihen në funksion vetëm duke iu përmbajtur Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, pasi që zyrtarët e AIP-së konstatuan se kamerat që ishin të vendosura kanë qenë nën mbikëqyrje të sekretarit Baki Toplana me autorizim të drejtorit.
Mirëpo, sipas vendimit, ky autorizim nuk i ka përmbushur kushtet ligjore pasi kamerat po monitoroheshin përmes telefonit personal të sekretarit të Shkollës.
Një shkelje tjetër e konstatuar nga AIP është se në Shkollë mungonte shenja njoftuese se hapësirat janë nën vëzhgimin e kamerave.
Në vendimin e AIP-së thuhet se “Urdhërohet ShFMU ‘Kajtaz Ramadani’ në cilësinë e kontrolluesit, që sistemin e vëzhgimit me kamera të aplikojë në pajtim me dispozitat ligjore të parapara në nenin 75 dhe nenin 76, të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.
“Vëzhgimi me kamerë nga kontrolluesi mund të fillojë vetëm pas plotësimit të kushteve në dispozitat ligjore të paraparë më Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale” – thuhet në vendimin e AIP-së.
Sipas, Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, personat të cilët kanë për qëllim vëzhgimin me kamerë duhet të vendosin njoftimin i cili tregon se hapësira është duke u vëzhguar me kamerë dhe se sistemi i vëzhgimit me kamerë përmes telefonit nuk lejohet, pasi që nuk konsiderohet e sigurt.
Mirëpo për t’u siguruar se ky vendim po zbatohet, KALLXO.com ka pyetur edhe drejtorin e Shkollës, Bedri Toplana, i cili konfirmon se kamerat janë ndalur dhe se vendimi është duke u zbatuar në tërësi.
“Është duke u zbatuar vendimi, kështu që krejt në rregull është nga ana jonë”- ka deklaruar Toplana për KALLXO.com.