Abdixhiku paralajmëron planin e LDK-së për 'kapërcimin e izolimit e krizës'

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën “shtet evropian”.

Sipas tij, Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot, dhe se Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot.

“Albin Kurti nuk e bën dot Kosovën shtet evropian. Ai, grupi i tij ideologjik nga Tirana, analistët e paguar e mediat e pushtetit janë në misionin e tyre ultim të përplasjes përfundimtare të shtetit. Në sinkron, i pari na dërgon drejt përplasjes, të dytit e bëjnë këtë çmenduri të duket bukur” – ka thënë Abdixhiku.

“Kosova nuk ka qenë kurrë më keq ndërkombëtarisht se sa sot. Serbia nuk kanë pasur kurrë më shumë përkrahje ndërkombëtare se sa sot. Ata po fitojnë. Ne po humbasim. Kauza e tyre e autonomisë territoriale në Kosovë po merr formë teksa ne mjaftohemi me të drejtën tonë në përballje me gjithë botën” – ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Abdixhiku thotë se Kosova ka një rrugë të re që e dërgon shoqërinë drejt familjes euroatlantike.

Krahas kësaj ai ka paralajmëruar se do të ftoj do të ftoj akterë të shoqërisë civile, akademisë, sektorit privat, mërgatës, mediave e opinionistëve, partive politike, shqiptarëve në rajon e miqve të Kosovës nëpër botë për të ndërtuar rrugën e vërtetë.

“Do t’u prezantojë dhe planin e LDK-së për kapërcimin e izolimit e krizës. Në këto takime do të kërkoj mbështetje për ndërtimin e masës kritike e zërit alternativ që bota perëndimore duhet ta dëgjojë nga ne tani. Vendi ynë ka një të ardhme ndryshe nga çfarë na projektohet sot” – ka shkruar lideri i LDK-së.