Foto: KALLXO.com

Abdixhiku e konsideron blerje votash Pakon për Përballje me Inflacionin: Kosovës i duhet një kapitull i ri

Blerje votash e konsideron kandidati për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, Pakon e miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës për Përballje me Inflacionin.

“Propagandë. Fyerje, ofendime, kriza të njëpasnjëshme. Çdo mjet i mundshëm për të qëndruar me çdo çmim në pushtet”- ka shkruar Abdixhiku në rrjetin social Facebook më 22.05.2026, pak kohë pas mbajtjes së mbledhjes së Qeverisë në detyrë.

Ai për Qeverinë ka thënë se nuk kanë ide, projekte e punë.

Pakon për inflacion e konsideron tentim për blerje votash dhe përpjekje e vonshme për të mbuluar dështimin qeverisës me paranë e vet qytetarëve.

“Një ofendim zgjedhor për dinjitetin dhe nevojat reale të njerëzve të vendit, të atyre që i lë si të parafundit në Evropë. Të parafundit! Populli i Kosovës nuk blihet.”- shkroi ai.

Abdixhiku konsideron se Kosovës i duhet një kapitull i ri. Kapitullin e ri ai e sheh me politikanë që nuk kujtohen për qytetarët vetëm në prag zgjedhjesh.

I pari i LDK-së ka thënë se ky kapitull i ri duhet të jetë ku mirëqenia shpërndahet si favor elektoral por si politikë e përhershme shtetërore.

“Ku pagat e dinjitetshme, mbështetja për familjet, zhvillimi ekonomik, investimet e mëdha e kujdesi për qytetarin nuk janë mjete për votë, por detyrim i Republikës. I një Republike që zhvillohet e s’pranoj të jetë në fund të Evropës!”- ka shkruar ai.

Në mbledhjen e mbajtur më 22.05.2026, Qeveria e Kosovës ka miratuar “Pakon për përballje me inflacionin 2.0”, e cila parasheh mbështetje financiare prej 100 eurosh për disa kategori të qytetarëve.

Sipas kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, pakoja parasheh mbështetje të njëhershme prej 100 eurosh për pensionistët, 100 euro për fëmijët, 100 euro për punonjësit e sektorit jopublik, si dhe 100 euro për studentët aktivë.

Kurti gjatë mbledhjes e cila u mbajt të premten (22.05.2025), bëri të ditur se për pensionistët dhe fëmijët nuk do të ketë nevojë për aplikim, pasi institucionet tashmë posedojnë listat e përfituesve.

Ai tha se synimi i Qeverisë është që pagesat për familjet përfituese të realizohen në fillim të javës së ardhshme, para festës së Bajramit.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha gjatë mbledhjes së Qeverisë se ekzekutivi nuk mund të qëndrojë “duarkryq” përballë rritjes së çmimeve dhe se ka kërkuar nga Ministria e Financave që të shfrytëzojë çdo mundësi buxhetore për hartimin e një pakoje mbështetëse.

“Qytetarët duhet ta dinë se Qeveria nuk do t’i lërë kurrë vetëm, pavarësisht bllokadave që të tjerët mund t’i vendosin”- deklaroi Kurti.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, sqaroi se për të punësuarit do të vlejë kriteri i të ardhurave mujore deri në 1 mijë euro.

“Për të punësuarit e deklaruar në muajin prill, me të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro, që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, pra këtu është sektori privat dhe sektori publik, por që është jashtë organizatave buxhetore, përfshirë shoqërinë civile dhe organizata tjera që nuk marrin pagë nga buxheti”- deklaroi Murati.

Për të punësuarit në sektorin jopublik dhe studentët, Qeveria ka bërë të ditur se do të nevojitet procedurë aplikimi, e cila pritet të hapet javën e ardhshme.